Përkufizimi
Homejni erdhi me mendime dhe ide të veçanta, të cilat i imponoi mbi qeverinë iraniane. Shiitët të cilët ishin brenda në Iran i përqafuan idetë e tij, kurse ata që ishin jashtë Iranit nuk i përqafuan. Kjo është arsyeja që na shtyu që kësaj risie të tij t’i japim emrin “Homejnizëm”. Ky titull mund të duket i çuditshëm, por është realiteti që është imponuar.
“Vilajeti i Fakihut”
“Vilajeti i fakihut” është ndër idetë që solli Homejni dhe në këtë nuk i ka paraprirë asnjë nga imamët e medhhebit imamij. Prandaj konsiderohet si një ixhtihad i tij, dhe kjo ide është përfshirë edhe në kushtetutën iraniane.
Kjo ide, të cilën e mbrojti Homejni, mbështetet në bindjen se fakihu (juristi islam) i cili zotëron kompetencën shkencore dhe cilësinë e drejtësisë, gëzon një autoritet të përgjithshëm dhe pushtet absolut mbi çështjet e njerëzve dhe të vendit, duke u konsideruar si kujdestar i punëve të tyre gjatë mungesës së Imamit të pritur.
Kjo ide nuk është përkrahur as nga dijetarët e hershëm dhe as nga ata bashkëkohorë të këtij medhhebi, pasi ata ia kanë kufizuar fakihut të drejtë, që ka arritur gradën e ixhtihadit absolut, vetëm një autoritet të veçantë (jo të përgjithshëm). Ata janë mbështetur në dy argumente:
E para: Nuk ekziston ndonjë provë e prerë, e nxjerrë nga trashëgimia dhe transmetimet e imamëve të pagabueshëm, që të tregojë detyrimin për t’iu bindur fakihut me bindje absolute si në çështjet e veçanta ashtu edhe në ato të përgjithshme.
E dyta: Pohimi i një autoriteti të përgjithshëm për fakihun çon domosdoshmërisht në barazimin e tij me imamin e pagabueshëm, gjë që nuk mbështetet nga asnjë argument racional apo tekstual.
Dhënia e këtij autoriteti të përgjithshëm fakihut çon logjikisht në ngritjen e tij në nivelin e imamit të pagabueshëm, gjë që Humejni e pretendoi për veten e tij me arsyetimin e “vazhdimësisë së imamatit dhe udhëheqjes” gjatë mungesës së Mehdiut.
Prej pasojave të pranimit të “vilajetit të fakihut” janë: despotizmi, monopoli i pushtetit, i legjislacionit dhe i jurisprudencës, si dhe monopolizimi i interpretimit të dispozitave, në atë mënyrë që sundimtari bëhet si i pagabueshëm nga gabimi; askush nga umeti nuk e kundërshton në asnjë çështje, dhe nuk i bëhet opozitë edhe nëse ekziston një këshill (shura).
Pretendimi i Homejnit ndaj profetëve dhe të dërguarve
Ajetullah Homejni pretendon se profetët dhe të dërguarit nuk i kanë përmbushur plotësisht mesazhet qiellore dhe nuk kanë arritur të vendosin bazat e drejtësisë në botë, dhe se personi që do të ketë sukses në përhapjen e drejtësisë së plotë mes njerëzve është Mehdiu i pritur.
Homejni e shprehu këtë pretendim në përvjetorin e lindjes së Imam Mehdiut, një prej imamëve të shiitëve, më 15 Shaban 1400 h.
Ky pohim konsiderohet në kundërshtim me atë që ka përcaktuar besimi islam, dhe përmban mohim të mësimeve të Librit dhe Sunetit, si dhe të konsensusit të umetit se i Dërguari ynë Muhammad (a.s) është vula e profetëve dhe të dërguarve, dhe reformatori më i madh i gjithë njerëzimit, pasi ai u dërgua me mesazhin më të plotë dhe më të përkryer, siç thotë i Lartësuari: “Sot jua përsosa fenë tuaj, plotësova ndaj jush mirësinë Time dhe zgjodha për ju Islamin si fe”[1]
Pozita e imamëve tek Homejni
Homejni në lidhje me sqarimin e pozitës së imamëve thotë: “Imami ka një pozitë të lavdëruar, një gradë të lartë dhe një hilafet (autoritet) kozmologjik, ndaj të cilit i nënshtrohen dhe janë nën kontrollin e tij të gjitha grimcat e këtij universi.”
Ai thotë: “Ne as që mund ta imagjinojmë se imamllarët harrojnë apo janë të pakujdesshëm.”
Po ashtu ai thotë: “Nga domosdoshmëritë e medhhebit tonë është se imamët tanë kanë një pozitë që nuk e arrin asnjë engjëll i afërt dhe asnjë profet i dërguar.”
Po ashtu ai thotë: “Mësimet e imamëve janë si mësimet e Kuranit, dhe duhet të zbatohen e të ndiqen.”
Me këto pohime, ai i ngre imamët në një pozitë mbi pozitën e njerëzve (Allahu na ruajt).
Velaja dhe Beraja
“Velaja dhe Beraja” tek shiitët në përgjithësi nënkupton besnikërinë ndaj imamëve dhe distancimin nga armiqtë e tyre. Ndërsa armiqtë e imamëve, sipas bindjes së tyre, janë brezi i sahabëve (r.a). Ajetullah Homejni e vendos sexhden si vend për lutjen e besnikërisë dhe distancimit, dhe formula e saj është: “Islami është feja ime, Muhamedi është profeti im, Aliu, Hasani dhe Husejni… (i përmend deri te i fundit) janë imamët e mi; me ta shfaq besnikëri dhe nga armiqtë e tyre distancohem.”
Gjithashtu, ekzistojnë mendime dhe ide të tjera tek shiitët në përgjithësi, të cilat i ka përqafuar Homejni dhe i ka riformuluar në kushtetutën iraniane dhe në librat që ai ka botuar.
Burimet e marrjes së dijes tek Homejni
Burimet e marrjes së dijes tek Homejni janë përgjithësisht ato të shiitëve, ndër më kryesoret janë këto katër libra:
1 – “El-Kafi” i Muhamed ibn Jakub El-Kulajni Er Razi, i cili konsiderohet si Sahihi i Buhariut tek Ehli Suneti.
2 – “Men la jahduruhu el-fakih” i Muhamed ibn Ali ibn Babavejhi Er Razi
3 – “Tehdhib el-Ahkam” i Shejh Taife ibn Hasan et Tusi që ka vdekur në vitin 460 h në Nexhef.
4 – “El-Istibsar” po nga Tusi.
Homejni mbështetet në këto katër libra dhe nuk i merr në konsideratë librat e hadithit të pranuar tek Ehli Suneti.
Disa besime dhe ide të Ajetullah Homejnit
– Tukja, e cila është një nga bazat e medhhebit shiit. Homejni thotë për të: “Kjo tukje është marrë për të ruajtur medhhebin nga zhdukja, jo vetëm për të ruajtur veten.”
– Xhihadi islam është i pezulluar në rastin e mungesës së Imamit.
– Qëndrimi i Homejnit ndaj sahabëve, është si qëndrimi i përgjithshëm i shiitëve ndaj tyre.
– Qëndrimi i tij ndaj hilafetit islam, pasi ai mendon se Islami nuk është përfaqësuar plotësisht përveçse në kohën e Profetit Muhammad (a.s) dhe në kohën e Ali ibn Ebi Talib (r.a).
– Homeini i jep besueshmëri edhe ateistëve si Nasirudin Tusi (597–672 h.), ministër i Hulagut, i cili shkatërroi Bagdadin dhe i dha fund hilafetit islam.
– Festimi i Nevruzit (me origjinë persiane), ku ai e konsideron guslin në këtë ditë të pëlqyeshme dhe agjërimin në të të ligjshëm.
Në librin e tij “Tahrir el-Vesile” Homejni ka mendime juridike të veçanta për të dhe për shiitët në përgjithësi, të cilat nuk kanë mbështetje në sunetin e saktë. Ndër to:
– Pastërtia e ujit të përdorur për istinxha (pastrim pas nevojës).
– Nga gjërat që e prishin namazin është vendosja e njërës dorë mbi tjetrën.
– Pastërtia nuk është kusht në të gjitha pjesët e namazit, por vetëm në vendin e sexhdes.
– Lejimi i marrëdhënieve me bashkëshorten në anus.
– Lejimi i bashkimit në martesë midis një gruaje dhe tezes së saj (njëkohësisht).
Rrënjët ideologjike dhe besimore të Ajetullah Homejnit
Medhhebi shiit imamij (ose xhaferij) është baza ideologjike e Homejnizmit. Nga librat e shiitëve, Homejni e formoi mendimin e tij dhe mbeti i lidhur fort me medhhebin e tij deri në fund të jetës.
Përmbledhje:
Homejnizmi e ndërton filozofinë e tij, në tërësi dhe në detaje, mbi një lexim të devijuar, i cili mbështetet në përzierje dhe shtrembërim të historisë së myslimanëve; duke sulmuar simbolet dhe figurat kryesore të saj me shkatërrim, deformim dhe manipulim. Ai synon të prishë besimin, të fshijë tiparet e Islamit dhe të shtrembërojë qëllimet e tij fisnike, në emër të fanatizmit ndaj Ehli Bejtit.
Gjithashtu, ai shfaq qëndrime që dalin jashtë fesë islame, si pretendimi për mangësi dhe ndryshim të Kuranit, deklarimi haptazi i fyerjeve ndaj sahabëve, kundërshtimi i konsensusit (ixhma) duke lejuar martesën e përkohshme (mut‘a), dhe duke e bërë medhhebin pjesë të kushtetutës së Iranit, si dhe përmes aleancave strategjike të papranueshme, e të tjera forma që paraqiten si komplot ndaj realitetit të Islamit dhe myslimanëve.
Burimi: islamstory.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Maide: 3.








