Hovenier: Sulmi në veri u krye nga një grup profesionistësh

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se sulmi i së dielës ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit u krye nga një grup profesionistësh e mirëorganizuar.

Në një deklaratë për gazetarët, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, Hovenier ka thënë se ka ende punë që të sqarohen të gjitha rrethanat e ngjarjes.

“Është sulm shumë serioz. Institucionet e sigurisë së SHBA-së po punojnë bashkë me të Kosovës dhe të tjerët për t’i sqaruar gjithçka që ka ndodhur dhe motivet. E dimë që pati sulm, nga një grup i mirëorganizuar, i stërvitur, profesional dhe që pati shumë pajisje ushtarake. E dimë se sulmuesit vranë një polic të Kosovës”, ka thënë Hovenieri duke shtuar se po ashtu dihet që sulmuesit kanë shfrytëzuar fshehjen në Manastirin e Banjskës për të vazhduar sulmet ndaj Policisë së Kosovës.

Ai ka thënë se arsenali i armëve dhe planeve të kapura dëshmon që nuk bëhet fjalë për “grup spontan”.

“Ishte grup i organizuar dhe ka strukturë prapa që është kujdesur për stërvitjet dhe pajisjet. Duam t’i shkojmë deri në fund dhe t’u kërkohet përgjegjësi përgjegjësve”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se po të kishte dëshmi të mëhershme për mundësi sulmi, kjo gjë s’do të lejohej.

Hovenier nuk ka pranuar ta komentojë videon e publikuar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në të cilën shihet nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiqi, si pjesë e grupit sulmues.

“E kam parë këtë video. Kaq mund të them. S’jam në pozitë të komentoj. Ka shumë gjëra që nuk dihen ende dhe kjo është e komplikuar, por këtë e marrim shumë seriozisht. Ishte kërcënim për Kosovën dhe popullin e Kosovës me pasoja tragjike. Po punojmë me partnerët që të kuptojmë çka ka ndodhur dhe të mbahen përgjegjës ata që bënë këtë. Jemi me popullin e Kosovës kur përballen me kërcënime dhe kjo do të vazhdojë edhe në këtë rast”, ka shtuar ai.

Hovenieri ka thënë se nuk është në dijeni nëse ka pasur negociata për lirimin e sulmuesve.

Sipas tij, situata aktuale tregon reflekton nevojën për angazhim aktiv në dialog dhe se SHBA-ja pret që të dyja shtetet të zbatojnë plotësisht dy marrëveshjet e arritura sivjet në fillim të vitit.