Hulumtim: Qytetarët e Belgjikës pikëpamje negative për imigracionin

Shumica e belgëve e shohin imigracionin si negativ për komunitetin belg, ndërsa kanë pikëpamje pozitive që të huajt vijnë në vend për të punuar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një sondazhi të kryer nga kompania e burimeve njerëzore Randstad, 60 për qind e belgëve shprehën mendimin se “kostot e imigrantëve janë më shumë se sa fitimet (që sjellin)”.

18 për qind e belgëve deklaruan se imigrantët përmirësojnë ekonominë e vendit, 64 për qind deklaruan se cilësia e arsimit është ulur për shkak të imigracionit dhe 58 për qind deklaruan se ndihen më pak të sigurt me ardhjen e imigrantëve.

Ndërsa 27 për qind e të anketuarve deklaruan se imigrimi në 50 vitet e fundit ishte në interes të Belgjikës, 39 për qind shprehën mendimin e kundërt.

Perspektiva për punëtorët e huaj ishte përgjithësisht pozitive. 60 për qind e pjesëmarrësve thanë se ishin pozitivë për ardhjen e të huajve në Belgjikë për të punuar, kurse vetëm 12 për qind thanë se ishin kundër.

72 për qind e belgëve deklaruan se duhet të vendosen rregulla strikte për të lejuar imigracionin. Midis këtyre rregullave, u renditën kushte të tilla si programet e detyrueshme të integrimit, arsimi gjuhësor dhe minimumi 4 vjet kohë pune përpara bashkimit familjar.