Marina e Libisë ka njoftuar se janë nxjerrë trupat e të paktën pesë emigrantëve dhe se 65 emigrantë të tjerë janë shpëtuar në brigjet e Libisë veriperëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Rojet Bregdetare Libiane morën informacione se një varkë me emigrantë që ndodhej nëntë milje larg bregdetit të qytetit Khoms kishte nevojë për ndihmë urgjente, thonë nga forcat e marinës së Qeverisë së Pajtimit Kombëtar (GNA) të njohur nga OKB.
Anija po transportonte migrantë nga Sudani, Egjipti dhe Maroku. Po bëhet një kërkim për të mbijetuar të tjerë apo për trupa të pajetë.
Mungojnë 40 migrantë
Të paktën 40 migrantë, shumica prej tyre shtetas të Sudanit, vlerësohet të jenë të zhdukur dhe supozohet se janë mbytur, tha Komisioneri i Lartë i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR) në një deklaratë të martën vonë.
Emigrantët e shpëtuar u sollën në një qytet bregdetar në lindje të kryeqytetit Tripoli, ku ekipet e UNHCR-së ofruan ndihmë mjekësore dhe humanitare. Operacionet e kërkimit dhe shpëtimit po vazhdojnë akoma.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), 578 migrantë janë mbytur në trekëndëshin midis Libisë, Maltës dhe Italisë në Mesdhe që nga fillimi i vitit deri më 15 gusht.
Sipas të dhënave të OKB-së, vitin e kaluar më shumë se 2.240 njerëz ose vdiqën ose u zhdukën në det përderisa përpiqeshin të arrinin në Evropë përmes Mesdheut.








