Hungaria kritikohet për ligjin kundër migrantëve

Gjykata Evropiane e Drejtësisë, ka thënë se Hungaria ka shkelur rregullat e Bashkimit Evropian kur e ka bërë vepër penale ndihmën e individëve apo organizatave, për migrantët apo refugjatët që aplikojnë për azil.

Ky vendim i Gjykatës është i fundit kundër masave të Qeverisë së krahut të djathtë të kryeministrit, Viktor Orban, të cilat, sipas autoriteteve qeveritare, mbrojnë bllokun evropian kundër imigrimit ilegal.

Qeveria e Hungarisë ka prezantuar më 2018 projektligjin që e bën vepër penale ndihmën për azil.

Më 2015, autoritetet hungareze kanë ndërtuar ndalesë kufitare me Serbinë dhe Kroacinë dhe po atë vit rreth një milion persona janë nisur drejt BE-së, kryesisht pas ikjes nga konflikti në Siri.

Orban, i cili ka shënjestruar punën e filantropit amerikano-hungarez, George Soros, ka akuzuar Sorosin për inkurajim të migrantëve.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka thënë se projektligji i vitit 2018, i njohur si ligji “Stop Sorosit”, ka shkelur “ligjet e BE-së”.

Orban, kundërshtar i zëshëm i imigrimit, ka akuzuar vazhdimisht Sorosin se ka ndërhyrë në politikën hungareze dhe udhëheqje të opozitës liberale.

Agjencia ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, e ka mirëpritur vendimin, duke thënë se ai “dërgon mesazh të qartë se fushata e frikësimit e Qeverisë hungareze, duke synuar ata që mbrojnë të drejtat e refugjatëve dhe azilkërkuesve, nuk mund dhe nuk do të tolerohet.” /rel