“I forti” egjiptian synon rekordin, tërheq anijen me dhëmbë

Një mundës egjiptian shpreson se ka vendosur një rekord të ri botëror pasi tërhoqi me dhëmbë një anije 700 tonëshe gjatë së shtunës.

44-vjeçari Ashraf Mahrous, me pseudonimin “Kabonga” dhe i njohur për egjiptianët si “i forti”, më pas tërhoqi dy anije bashkë që arrinin peshën 1,150 ton.

Sot kam ardhur të thyej rekordin botëror. I tërhoqa të dyja, falë Zotit, për t’u provuar miqve dhe gjithë botës se Zoti më bekoi duke më bërë njeriun më të fortë në botë”, tha ai.

Mundësi tha se do t’i dërgojë Rekordeve Botërore Guinness foto dhe video nga kjo ngjarje për të parë nëse ka vendosur rekord të ri, pasi i tanishmi është vendosur në vitin 2018 me një anije 614 ton.

Në mars, Mahrous tërhoqi një tren 279 ton me një litar ndër dhëmbë për thuajse 10 metra dhe u njoh nga Guinness, shoqëruar me certifikata për tërheqjen e lokomotivës më të rëndë dhe tërheqjes më të shpejtë të një mjeti në rrugë për 100 metra.

Para tre vitesh, ai vuri rekord me tërheqjen me dhëmbë të një kamioni 15,730 kilogramë.

Mahrous u përgatit për sfidën e së shtunës duke u trajnuar gjashtë orë në ditë dhe duke ngrënë një dietë të pasur me hekur dhe proteina, me një duzinë vezë, dy pula dhe pesë kilogramë peshk.

44-vjeçari është 190 centimetra i gjatë dhe peshon 155 kilogramë. Ai thotë se forca e tij u shfaq herët dhe ka ngritur pesha të rënda në këmbim të parave qëkur ishte 9 vjeç. Thotë se nuk merr suplemente, por ha, fle dhe ushtrohet të paktën dy herë në ditë.

Ai synon që t’i kërkojë leje presidentit egjiptian Abdul Fattah al Sisi që të tërheqë një nëndetëse dhe një ditë do që të tërheqë një avion duke përdorur vetëm muskujt e qepallave.