IHH-ja turke shpërndan drunj për shoqatat e dala nga lufta

Fondacioni Humanitar Turk për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH), ka bërë shpërndarjen e drunjve për 80 familjet e invalidëve të dala nga lufta pranë Shoqatës së Invalidëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dega në komunën e Fushë Kosovës dhe në komunën e Obiliqit, raporton Anadolu Agency (AA).

Xhevdet Qeriqi, kryetari i Shoqatës së Invalidëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), dega në Fushë Kosovë, duke falënderuar Fondacionin IHH dhe Turqinë tha se: “Falë Fondacionit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (IHH) në Turqi sot po ju dalim në ndihmë invalidëve të luftës së UÇK-së në Fushë Kosovë të cilët kanë nevojë për drunj”.

Ai njoftoi se IHH ka ndimuar invalidët e dala nga lufta me 135 metra drunj ku nga kjo ndihmë do të përfitojnë 40 familje nga Fushë Kosova dhe 40 familje nga Obiliqi.

“Ne kemi kërkesa të vazhdueshme edhe për ndihma të tjera, megjithatë tani në dimër ka patur më shumë kërkesë për drunj kështu që tani po i shihni edhe shumicën e veteranëve dhe invalidëve. Kanë ardhur një pjesë e familjarëve të tyre sepse janë disa raste të invalidëve të cilët nuk kanë mundësi të vijnë shkaku i plagëve, janë rëndë të plagosur”, tha Qeriqi.

Ndërsa, Nusret Azemi i cili është njëri nga invalidët e luftës tha se Turqia është duke i ndihmuar veteranët dhe invalidët vazhdimisht. Sipas tij, kjo ndihmë me drunj ka vlerë të madhe për ta dhe familjet e tyre në ditët e vështira të dimrit.

“Familjet tona janë të gëzuara se shteti i Turqisë ka shprehur vullnet për t’i ndihmuar vëllezërit nga Kosova. Në këtë rast në emër të gjithë familjeve ju shprehim mirënjohje atyre nga shpirti me ngrohtësi”, tha Azemi.