Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se numri i rasteve të konfirmuara me fruth në Kosovë ka arritur në 63.
Sipas përditësimit të situatës epidemiologjike, gjatë periudhës nga 16 prilli deri më 13 korrik 2026 janë raportuar gjithsej 63 raste të konfirmuara me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 11 raste të reja, tha IKSHPK.
“Sipas komunave, numër më i lartë i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës me nëntëmbëdhjetë (19) raste, komuna e Ferizajt me dymbëdhjetë (12) raste: Kaçaniku me tetë (8 ) raste; Fushë Kosova me nëntë (9) raste; Lipjani me tre (3), Vushtrri, Shtime dhe Obiliq, me nga dy (2) raste; si dhe me nga një (1) rast komunat: Gjilan, Drenas, Deçan, Skenderaj, Shtërpcë dhe Viti”, thuhet në njoftim.
IKSHPK ka bërë thirrje që personat me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë të lartë, skuqje ose ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë apo konjuktivit, të kërkojnë menjëherë ndihmë në institucionet shëndetësore.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”.








