Shefja e politikës së jashtme e Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, ka deklaruar se shumica e vendeve anëtare mbështesin ndërmarrjen e masave kundër tregtisë me vendbanimet ilegale izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke argumentuar se ambasadorët janë ngarkuar të çojnë përpara këtë çështje dhe se një takim i jashtëzakonshëm ka gjasa të mbahet, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media pas takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel, Kallas theksoi se Komisioni Evropian ka paraqitur opsione për kufizimin e mëtejshëm të tregtisë me vendbanimet izraelite, pas një kërkese nga Këshilli Evropian.
“Ndërmarrja e veprimeve kundër tregtisë me vendbanimet mori mbështetjen më të madhe nga vendet anëtare. Ne i ngarkuam ambasadorët që ta çojnë përpara këtë punë dhe me shumë gjasa do të kemi gjithashtu një takim të jashtëzakonshëm për këtë çështje”, tha ajo.
Kallas theksoi se masat e propozuara synojnë vendbanimet ilegale dhe jo vetë Izraelin.
“Këto janë opsione kundër vendbanimeve ilegale që minojnë zgjidhjen me dy shtete”, tha ajo.
Sipas saj, propozimet e Komisionit Evropian përfshijnë një ndalim të plotë ose të pjesshëm të importeve të produkteve me origjinë nga vendbanimet, kërkesa më të rrepta për licencat e eksportit dhe mundësinë e përdorimit të tarifave doganore.
Ajo theksoi se të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së pajtohen se vendbanimet izraelite janë të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare dhe se politika aktuale e diferencimit e bllokut, ku produktet nga vendbanimet identifikohen veçmas, ka pasur pak ndikim në kufizimin e tregtisë për shkak të zbatimit jo të njëtrajtshëm.
Kallas shtoi se ekziston një opinion ligjor që sugjeron se masat mund të miratohen përmes votimit me shumicë të cilësuar.
Duke folur për zhvillimet në Gjirin Persik, ajo tha se ministrat e BE-së ranë dakord se liria e lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit duhet të mbetet e papenguar, duke përsëritur se Irani “nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore”.
– Ukraina dhe Rusia
Ministrat gjithashtu diskutuan për Ukrainën, ndërsa Kallas paralajmëroi se Rusia ka gjasa të synojë përsëri infrastrukturën energjetike të Ukrainës gjatë dimrit të ardhshëm.
Kallas përshëndeti vendimin e SHBA-së për t’i lejuar Ukrainës prodhimin e raketave Patriot me licencë, duke e quajtur atë “një hap pozitiv”, megjithëse theksoi se do të duhet kohë para se prodhimi të fillojë.
Sa u përket sanksioneve kundër Rusisë, ajo tha se ende nuk ka marrëveshje për paketën e 21-të të sanksioneve të BE-së, por shtoi se vendet anëtare janë “mjaft afër” arritjes së një marrëveshjeje.



