IKSHPK-ja paralajmëron përkeqësim të situatës me pandeminë

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 585 raste të reja me COVID-19, që përbën numrin më të lartë të të infektuarve brenda një dite gjatë vitit 2022. IKSHPK-ja ka vazhduar t’u bëjë thirrje qytetarëve për respektim masash e vaksinim, me paralajmërimin për përkeqësim të situatës
Për dy javë janë regjistruar 2 mijë e 797 raste me COVID-19 në Kosovë, e vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 585 raste të reja me këtë sëmundje.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në apelin e dhënë në rrjetet sociale ka paralajmëruar përkeqësim të situatës në ditët në vazhdim, teksa është bërë thirrje për mosgrumbullim të shumë personave.

“Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë. Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve, që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.

Gjatë ditës së premte, kur u regjistrua edhe numri më i madh i të infektuarve deri më tani për këtë vit, IKSHPK-ja ka vendosur të shpërndajë një informatë obliguese për personat që testohen për COVID-19. Aty thuhet se të gjithë ata që testohen, duhet të qëndrojnë të izoluar derisa të marrin rezultatin e testit nga IKSHPK-ja. Po ashtu, sipas këtij njoftimi, ata që rezultojnë pozitivë në testim, e kanë të ndaluar që personalisht të shkojnë në IKSHPK për ta kërkuar rezultatin deri në 10 ditë pas ditës së testimit.

“Të gjithë personat të cilët janë mostruar për testim në COVID-19 duhet të qëndrojnë në shtëpi/banesë deri në lajmërimin e rezultatit të testit nga IKSHPK-ja. Personat të cilët lajmërohen që kanë rezultuar pozitivë në COVID-19 e kanë të ndaluar që personalisht të vijnë në IKSHPK për të kërkuar rezultatin deri në 10 ditë pas ditës së testimit. Individët e interesuar që të kenë rezultatin në formë të shkruar më herët, rezultatin e testimit mund ta kërkojnë përmes emailit në [email protected] ose të autorizojnë (me posedim të letërnjoftimit/pasaportës të personit testuar) ndonjë individ që nuk është i infektuar me COVID-19”, thuhet më tutje, në njoftimin e tyre.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosovë janë regjistruar 585 raste pozitive, nga testimi i 6 mijë e 589 të dyshuarve për koronavirus. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes si pasojë e COVID-19, derisa numri i të shëruarve është 57. Sa i përket vaksinimit, në 24 orët e fundit në tërë Kosovën janë vaksinuar 3.830. Të vaksinuar me të dyja dozat janë 794.496 persona, me dozë përforcuese janë 27.183, ndërkaq me dozë të tretë janë 2.147 persona. Numri i dozave të administruara që nga fillimi i procesit të vaksinimit është 1.708.466.

Aktualisht, numri i rasteve aktive me koronavirus në Kosovë është 3 mijë e 339. Sipas raportit të SHSKUK-së, gjatë së premtes, 36 pacientë të konfirmuar me COVID-19 janë duke u trajtuar në klinikat e QKUK-së e në spitale rajonale.