India në prag të emergjencës shëndetësore për obezitet

Banorët e Indisë po shtojnë peshë në mënyrë drastike, ka bërë të ditur qeveria e këtij vendi në një analizë të publikuar. Dhe, kjo po konsiderohet emergjencë shëndetësore nëse problemi i obezitetit nuk trajtohet.

Obeziteti, i konsideruar si akumulim i tepërt i yndyrës në trup, dikur është quajtur si “problem i Perëndimit të pasur”. Viteve të fundit është përhapur te popujt e disa shteteve, ndërsa askund më shpejt se në Indi, njoftoi BBC-ja të mërkurën.

Aktualisht India është në mesin e pesë vendeve të para sa i përket përhapjes së obezitetit, megjithëse prej kohësh njihet si vend i njerëzve të kequshqyer e i atyre që dukshëm janë në nënpeshë.

Sipas një vlerësimi të vitit 2016, 135 milionë indianë janë mbipeshë e obezë. Për ekspertët e shëndetësisë, ky numër është rritur me shpejtësi, e popullata e kequshqyer “po zëvendësohet me ata të mbipeshës”.

“Ne jemi në një epidemi obeziteti në Indi dhe globalisht. Kam frikë se së shpejti mund të bëhet një pandemi nëse nuk e trajtojmë së shpejti”, paralajmëroi Ravindran Kumeran, një kirurg në qytetin jugor të Chennai dhe themelues i Fondacioni i Obezitetit të Indisë.

Në gjetjet e anketës së fundit, rritja e mbipeshës te burrat indianë, nga 18.9 për qind sa ishte në periudhën 2015/2016, ka shkuar në 22.9 për qind, ndërsa te gratë nga 20.6 për qind në 24. Obeziteti ka shënuar rritje edhe te fëmijët. Nga 2.1 për qind në 3.4.

Pradeep Chowbey, ish-president i Federatës Ndërkombëtare për Kirurgjinë e Obezitetit dhe Çrregullimeve, deklaroi se qeveria indiane është e zënë me trajtimin e sëmundjeve infektive, me ç’rast nuk ka mjete për trajtimin e sëmundjeve të stilit të jetesës.

“Obeziteti është shumë i rëndë dhe i kushtueshëm për t’u menaxhuar”, tha ai.

Vite më parë, në Indi ishte diskutuar rritja e taksave për ushqimet dhe pijet jo të shëndetshme, me qëllim që të ulet konsumimi i tyre, por një iniciativë e tillë nuk shkoi para për shkak të kundërshtimeve nga kompanitë tregtuese.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shifra e lartë e yndyrës në trup rrit rrezikun për shfaqjen e 13 llojeve të kancerit, diabetit të tipit 2, problemeve me zemër dhe mushkëri. Vitin e kaluar, obeziteti siç njoftoi OBSH-ja, shkaktoi vdekjen e 2.8 milionë njerëzve në botë.

OBSH-ja javë më parë paralajmëroi se aplikacionet e ushqimeve dhe lojërat në internet e nxisin obezitetin, sidomos te të rinjtë. /koha