Ballina Lajmet Indonezi, të paktën 168 të vdekur nga cunami

Indonezi, të paktën 168 të vdekur nga cunami

Të paktën 168 persona kanë humbur jetën si pasojë e cunamit të ndodhur në Ngushticën Sunda të Indonezisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), Sutopo Purwo Nugroho, deklaroi se në Ngushticën Sunda e cila gjendet mes ishujve Sumatra dhe Java, ka ndodhur një cunami, si pasojë e të cilit kanë humbur jetën 168 persona, ndërsa 745 të tjerë janë plagosur.

Ai gjithashtu duke treguar se në rajon rreth 30 persona konsiderohen si të zhdukur, tha se numri më i madh i vdekurve është nga rajoni Pandeglang.

Nugroho theksoi se edhe në rajonin Banten dhe pjesën jugore të qytetit Lampung ka ndodhur dëm i madh për shkak të cunamit.

Zyrtarët e BNPB-së njoftuan se aktiviteti vullkanik në Vullkanin Anak Krakatau që gjendet në rajon ka shkaktuar cunamin.

Nga ana tjetër në rajon vazhdojnë punimet e gjera të kërkim-shpëtimit. Theksohet shqetësimi i rritjes së numrit të viktimave për shkak të ndikimit negativ nga cunami të shumë zonave turistike rreth bregdetit.

Në muajin shtator për shkak të rritjes së aktivitetit të Vullkanit Anak Krakatau, në rajon ishte dhënë alarmi i dytë më i madh.

Kujtojmë se nga tërmeti 7,5 ballë dhe cunami në ishullin Sulawesi të Indonezisë, i cili ndodhi më 28 shtator, kishin humbur jetën mbi 2000 persona, ndërsa rreth 1500 konsiderohen të humbur.

Indonezia shtrihet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku tërmetet dhe shpërthimet vullkanike janë të shpeshta.

Më 26 dhjetor të vitit 2004, Indonezia u godit nga një tërmet tejet i fuqishëm prej 9,1 ballë, i cili u pasua nga cunami, si pasojë e të cilit humbën jetën 230 mijë persona në një territor që përfshiu edhe shtete të tjera të rajonit.