Ballina Artikuj Interesimi për shokun – shenjë e imanit dhe shtyllë e vëllazërisë

Interesimi për shokun – shenjë e imanit dhe shtyllë e vëllazërisë

Dr. Zenel Hajdini

Një nga shtyllat më të rëndësishme morale mbi të cilat ndërtohet Islami është interesimi për tjetrin; kujdesi për shokun, për vëllain në fe dhe për shoqërinë në tërësi. Islami nuk e pranon besimtarin egoist, të ftohtë e indiferent, por e edukon atë që të jetë i dhembshur, i përgjegjshëm dhe i ndjeshëm ndaj gjendjes së të tjerëve.
Shoqërinë e besimtarëve, Allahu i Madhëruar në Kuran e përshkruan me një përkufizim të qartë dhe domethënës:
“Besimtarët janë vëllezër.” (El-Huxhurat, 10)
Ky vëllazërim nuk është vetëm deklaratë verbale apo lidhje formale, por një përgjegjësi morale dhe fetare. Të jesh vëlla do të thotë të interesohesh, të ndjesh dhe të veprosh për tjetrin. Është e pamundur të ekzistojë vëllazëri e vërtetë pa kujdes dhe solidaritet të ndërsjellë.
Një shembull prekës i këtij interesimi na paraqitet Allahu në Kuran përmes tregimit të Ibrahimit a.s. Kur melekët e Allahut e lajmëruan atë për shkatërrimin e popullit të Lutit a.s., duke thënë: “Ne do t’i zhdukim banorët e këtij vendbanimi, sepse banorët e tij janë vërtet keqbërës.” (El-Ankebut, 31)
Ibrahimi a.s., i tronditur dhe i shqetësuar, reagoi menjëherë: “Por atje banon edhe Luti?!” (El-Ankebut, 32)
Ky reagim tregon zemrën e një pejgamberi që nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj fatit të tjetrit, edhe kur vendimi hyjnor është tashmë i shpallur. Allahu i Lartësuar e qetësoi atë duke i thënë: “Ne e dimë më mirë kush është atje. Ne do ta shpëtojmë atë dhe familjen e tij…” (El-Ankebut, 32)
Interesimi për shokun, për vëllain në fe, nuk është ndërhyrje në atë që nuk na takon, por është shprehje e imanit. Nuk është thjesht sjellje e bukur shoqërore, por adhurim dhe përgjegjësi fetare.
Këtë parim e mishëroi më së miri Pejgamberi ynë, Muhamedi a.s., i cili ishte shembull i përsosur në çdo aspekt të jetës. Kur ndonjë nga shokët e tij mungonte për disa ditë, ai pyeste me kujdes: “Çfarë ka filani? Pse nuk po e shoh?”
Dhe nëse mësonte se ishte i sëmurë, shkonte vetë ta vizitonte.
Ai nuk u mjaftua vetëm me interesimin për shëndetin fizik të njerëzve. Kur e pa Muadh ibn Xhebelin r.a., të mërzitur, e vuri re menjëherë ndryshimin në fytyrën dhe qëndrimin e tij. Me butësi iu afrua dhe u interesua për gjendjen e tij shpirtërore. E dëgjoi me vëmendje, e kuptoi barrën që rëndonte në zemrën e tij dhe e këshilloi me fjalë të urta, duke ia forcuar besimin, durimin dhe mbështetjen në Allahun e Madhëruar.
Kjo na mëson se ndonjëherë nuk mjafton të pyesim: “Si je fizikisht?”, por është edhe më e rëndësishme të pyesim: “Si është zemra jote?”
Një tjetër shembull është rasti i gruas së varfër që pastronte xhaminë. Kur ajo mungoi një ditë, Pejgamberi a.s., e vuri re menjëherë dhe pyeti për të. Kur sahabët i treguan se kishte vdekur dhe ishte varrosur natën, ai u mërzit dhe tha: “Pse nuk më lajmëruat?”
Pastaj shkoi te varri i saj dhe ia fali namazin e xhenazes.
Ajo grua nuk ishte e njohur, as e pasur e as me pozitë, por ishte besimtare e sinqertë. Megjithatë, mungesa e saj nuk i shpëtoi vëmendjes së Pejgamberit a.s. Kjo tregon se në Islam, vlera e njeriut nuk matet me famë apo pasuri, por me iman dhe kontribut.
Prandaj, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashuri, mëshirë dhe dhembshuri është si trupi i vetëm; kur sëmuret një pjesë, i gjithë trupi ndjen dhimbje.” (Buhariu dhe Muslimi)
Atëherë, ku jemi ne sot përballë këtij mësimi profetik?
A pyesim për shokun kur mungon?
A interesohemi për vëllain tonë kur e shohim të mërzitur?
A na dhemb zemra kur dikush nga shoqëria jonë është në vështirësi?
Fatkeqësisht, shpeshherë jemi bërë indiferentë. Secili i zhytur në hallet dhe jetën e vet, duke harruar se Islami nuk e pranon këtë ftohtësi mes besimtarëve. Allahu i Madhëruar urdhëron qartë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe devotshmëri.” (El-Maide, 2)
Kjo është rruga e Islamit: solidaritet, interesim, dhembshuri dhe përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit.
Allahu na bëftë prej atyre që interesohen për njëri-tjetrin, që nuk e harrojnë shokun, që nuk mbyllin sytë para hallit e brengës së vëllait.
Allahu na bashkoftë zemrat tona, na forcoftë vëllazërinë në mes vete dhe na bëftë shembull të mirë për njëri-tjetrin.

Dr. Zenel Hajdini