Interi fiton ndeshjen e parë ndaj Atleticos

Interi ka shënuar fitore të vështirë, por shumë të rëndësishme. Të martën mbrëma, Interi e mposhti Atletico Madridin me rezultatin 1:0. Ishte ndeshja e parë e një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve.

Skuadra italiane ka dominuar gjatë tërë ndeshjes, ndërsa golin e realizoi në minutën e 79-të.

Pas një gabimi në mbrojtjen madrilene, Lautaro Martinez depërtoi deri në zonë dhe gjuajti drejt portës. Jan Oblak ndali topin, por prej topit të kthyer përfitoi Marko Arnautoviq që goditi saktë për 1:0.

Interi ka krijuar shumë më tepër, ndërsa skuadra e Diego Simeones rastin do ta kërkojë në ndeshjen e kthimit që zhvillohet më 13 mars në stadiumin “Metropolitano” në Madrid.

Skuadra e Interit kishte shumë më tepër raste të krijuara. Madrilenët nuk kanë pasur asnjë goditje në kornizë të portës.