Bagdadi synon të çarmatosë milicitë e mbështetura nga Irani, por rrezikon një konflikt të ri brenda vendit
Iraku po përballet me një nga sfidat më të vështira për stabilitetin e tij: rikthimin e kontrollit shtetëror mbi grupet e armatosura të mbështetura nga Irani.
Një përpjekje e qeverisë për të kufizuar fuqinë e këtyre milicive në një prej bastioneve të tyre kryesore përfundoi këtë javë pa përplasje të armatosur. Por tensionet mbeten të larta dhe rreziku i një konflikti të brendshëm nuk është zhdukur.
Ngjarjet u përqendruan në Jurf Al-Sakher, në provincën e Babilit, një zonë që prej vitit 2014 kontrollohej praktikisht nga Kataeb Hezbollah, një prej organizatave më të fuqishme të armatosura të lidhura me Teheranin.
Qeveria irakiane e akuzoi milicinë për vjedhjen dhe kontrabandimin në shkallë të gjerë të naftës, duke i kërkuar të largohej nga zona deri të premten.
Përgjigjja fillestare ishte sfiduese. Një komandant i lartë i grupit akuzoi kryeministrin Ali Al-Zaidi se po nxiste përçarje dhe paralajmëroi se vendi ndodhej në prag të një krize të madhe.
Megjithatë, të premten situata ndryshoi. Forcat irakiane të sigurisë njoftuan se kishin marrë përgjegjësinë për sigurinë në zonë, duke vendosur atje Policinë e Energjisë, e cila do të mbrojë infrastrukturën e naftës dhe gazit.
Njësitë shtetërore ngritën pika kontrolli çdo 500 metra përgjatë një segmenti prej 441 kilometrash të tubacioneve të naftës.
Operacioni u zhvillua pa rezistencë të armatosur. Autoritetet njoftuan se dorëzimi i pozicioneve kishte përfunduar dhe se nuk ishin regjistruar incidente.
Jurf Al-Sakher, e njohur edhe si Jurf Al-Nasr, u rimor nga organizata terroriste ISIS në vitin 2014 nga forcat qeveritare, të ndihmuara pikërisht nga milicitë shiite, përfshirë Kataeb Hezbollah.
Qyteti mbeti kryesisht i shkatërruar dhe rreth 80.000 banorët e tij u detyruan të largoheshin, pa mundur të kthehen që atëherë.
Kryeministri Al-Zaidi e cilësoi vendosjen e forcave shtetërore si një kapitull të rëndësishëm për vendin, duke u kërkuar ushtarëve vetëpërmbajtje dhe maturi. Ai theksoi se nuk kishte armiq mes tyre, pasi të gjithë ishin qytetarë irakianë.
Ai përsëriti angazhimin që deri në fund të qershorit 2027 të gjitha grupet e armatosura të çarmatosen dhe të veprojnë nën komandën e ushtrisë, ligjin dhe autoritetin e shtetit.
Por analistët paralajmërojnë se marrja nën kontroll e një zone, nuk do të thotë se Iraku është pranë çarmatosjes së milicive në shkallë kombëtare.
Hayder Al-Shakeri, studiues në institutin britanik Chatham House, vlerëson se operacioni ishte më shumë rezultat i negociatave sesa i një fitoreje të qeverisë ndaj milicisë. Sipas tij, Irani ka luajtur rol të drejtpërdrejtë në arritjen e marrëveshjes.
Kryeministri Al-Zaidi ishte takuar të hënën në Bagdad me Esmail Qaanin, komandantin e Forcave Quds të Gardës Revolucionare iraniane. Teherani, sipas Al-Shakerit, nuk ka interes për një përplasje mes fraksioneve shiite, e cila mund të dobësojë njëkohësisht qeverinë irakiane dhe aleatët e tij.
Marrëveshja i mundësoi Bagdadit të shtonte praninë shtetërore, ndërsa Kataeb Hezbollah shmangu një humbje ushtarake.
Por problemi shkon shumë përtej armëve. Milicitë e lidhura me Iranin kanë krijuar parti politike, përfaqësim parlamentar, ndikim në emërimet shtetërore dhe rrjete ekonomike në sektorët e naftës, financave dhe kontratave publike.
Ish-ambasadori britanik në Irak, John Jenkins, shprehu skepticizëm për zhvillimet, duke i cilësuar ato si një marrëveshje të arritur në prapaskenë mes qeverisë, gjyqësorit, Forcave të Mobilizimit Popullor dhe Iranit.
Sipas tij, grupet e armatosura nuk e kanë pushtuar shtetin me forcë, por kanë arritur të depërtojnë dhe të marrin kontrollin e institucioneve përmes korrupsionit.
Ndërkohë, Al-Zaidi ndodhet mes dy presioneve: Uashingtonit, që kërkon kufizimin e ndikimit iranian, dhe koalicionit politik shiit që mban në pushtet qeverinë e tij, ku një pjesë e aktorëve kanë lidhje me milicitë.
Një përballje e drejtpërdrejtë mund të shkatërrojë këtë ekuilibër dhe të çojë në përçarjen e forcave politike që mbështesin qeverinë. Por mosveprimi rrezikon të minojë besueshmërinë e saj ndaj SHBA-së dhe të lërë vendin nën ndikimin e grupeve të armatosura.
Për momentin, armët kanë heshtur në Jurf Al-Sakher. Por beteja për kontrollin e shtetit irakian sapo ka hyrë në një fazë të re. \tesheshi





