Ku i ka rrënjët ky emërtim i cekët, spekullativ dhe tmerrësisht abuziv?
Shumë njerëz nuk e njohin rrënjën e këtij konflikti të pandalshëm konceptual, ku duket sikur në njërën anë, si tabelë qitjeje, qëndron çdo gjë që i stiset nga pas emërtimit “islamik” (p.sh. “terrorizëm islamik”, “ekstremizëm islamik”, “radikalizëm islamik”, “shtet islamik” etj…) dhe në anën tjetër, pjesa tjetër e botës dhe e shoqërisë, që kërkon “të mbrohet” nga “rreziku islamik”!
Duke u përhumbur në morinë e termave sipërfaqësorë që gjeneron kjo përballje konceptuale, na duhet të qartësojmë sa më thjesht, se thelbi i kësaj çështjeje i ka rrënjët përtej emërtimit “islamik” dhe ithtarëve të besimit fetar që ky konflikt prek.
Feja në thelb është një bindje dhe ideal i caktuar, për njeriun, botën, jetën dhe shoqërinë. Dhe si e tillë, çdo bindje që ka një pamësi të caktuar dhe ideal për këto gjëra është “fe”. Në këtë kuptim, çdo ideologji që ka një pikëpamje dhe ideal të caktuar për njeriun, jetën, botën dhe shoqërinë është fe. Kështu që çdo ideologji është një lloj feje, e përjashton ose e pranon ekzistencën e një qenieje hyjnore, apo është tërësisht indiferente ndaj saj.
Nisur nga kjo qasje, laicizmi është fe, ashtu siç janë edhe derivatet e tij si: marksizmi, fashizmi, liberalizmi, nacionalizmi etj.
Moderniteti dhe ndryshimet ideore që ai i solli botës, bënë të mundur, ndër të tjera, që njerëzit të mos e shihnin më njeriun, botën, jetën dhe shoqërinë, nga pikëpamja e feve tradicionale, por nga qasje që e përjashtonin pjesërisht ose plotësisht Zotin.
Në këtë përballje idesh në Perëndim, feja tradicionale me në qendër Zotin, filloi të zmbrapsej, deri në venitje tërësore në mjaft raste, dhe vendin e saj do ta zinin pikëpamje ku prania hyjnore përjashtohej. Kështu, idetë dhe ideologjitë e ndryshme shekullariste (laiciste) zëvendësuan ato fetare tradicionale dhe sot feja ka mbetur, pothuajse, vetëm bindje individuale, private, e njëjtë me shijen dhe guston personale të çdo njeriu. Ndërkohë “feja” apo “fetë” e reja laike dhe pikëpamjet e tyre ishin ato që u vendosën si bosht qendror i frymës së përgjithshme në shoqëri dhe institucione.
Bota e krishterë perëndimore iu nënshtrua kësaj fryme të re dhe feja e dikurshme u zmbraps në margjinë të jetës apo edhe u përjashtua plotësisht.
Me kolonizimin e pjesës tjetër të botës nga Perëndimi dhe avancimin e tij, kjo frymë u bë globale. I vetmi që i ka rezistuar më fort dhe nuk pranon të dorëzohet përfundimisht është Islami dhe ndjekësit e tij. Por për rendin global modern laik, kjo është herezi që duhet zhdukur apo luftuar, ndaj betejat me ithtarët e Islamit, që nuk pranojnë t’i nënshtrohen laicizmit, janë agjendë dhe qëllim në vetvete, sepse sipas tij, kështu sigurohet mbijetesa e rendit shekullarist.
Fetë dhe besimet tradicionale transcendente, që pranojnë të mos jenë më qendrore për njerëzit, apo i nënshtrohen statusit të të toleruarit, brenda kufijve të vathës, që u është caktuar nga laicizmi, thjesht kanë pranuar “tredhjen” dhe “shterpësinë” e diktuar nga një autoritet johyjnor, ndaj dhe nuk janë më fe, në kuptimin e dikurshëm, por vetëm garniturë e një sofre ku laicizmi apo shekullarizmi janë ushqimi qendror dhe pjata kryesore.
Hoxhë Justinian Topulli








