Irani dënon ekzekutimet në Arabinë Saudite

Ministria e Jashtme e Iranit thotë se ky veprim shkel të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar

Irani dënoi fuqishëm ekzekutimet masive të Arabisë Saudite të kriminelëve të dënuar gjatë fundjavës, duke thënë se kjo është shkelje e “parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të dielën vonë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Saeed Khatibzadeh tha se ekzekutimi masiv të shtunën nga autoritetet saudite të 81 personave që thuhet se janë dënuar për terrorizëm dhe krime të rënda është kryer “pa respektuar procedurat e drejta gjyqësore”.

Arabia Saudite njoftoi ekzekutimin e 81 personave, ekzekutimi më i madh masiv në historinë e vendit, të cilët ishin akuzuar për krime duke përfshirë vrasjet, përdhunimet, kontrabandën e armëve dhe lidhjet me grupet terroriste.

Shumica e tyre ishin shtetas sauditë dhe më shumë se gjysma e tyre i përkisnin komunitetit musliman shiit, sipas raporteve.

Në një reagim të fuqishëm, Khatibzadeh tha se ekzekutimet dhe dhuna “nuk ishin zgjidhje për krizën që vetë e kishin krijuar”, duke akuzuar qeverinë saudite për “mbulimin e trazirave politike dhe gjyqësore” dhe “shtypjen e njerëzve”.

Deklarata erdhi disa orë pasi Irani pezulloi përkohësisht raundin e pestë të bisedimeve për zbutjen e tensioneve me Arabinë Saudite të ndërmjetësuara nga Iraku, të cilat ishin caktuar të rifillonin të mërkurën pas një pauze të gjatë.

Ndërsa nuk u përmend asnjë arsye për vendimin e njëanshëm, vëzhguesit besojnë se ekzekutimet mund të kishin qenë një nga shkaqet e ndërprerjes së bisedimeve.

Dy fqinjët e Gjirit Persik u ndanë në janar 2016 pas sulmeve ndaj dy misioneve diplomatike saudite në qytetet e Teheranit dhe Mashhadit, të cilat shpërthyen pasi Arabia Saudite ekzekutoi klerikun dhe aktivistin e shquar shiit Sheikh Baqir Nimr al-Nimr.

Përpjekjet për rivendosjen e lidhjeve filluan në prill të vitit të kaluar, ku u zhvilluan katër raunde bisedimesh deri më tani të ndërmjetësuara nga Bagdadi.

Sipas vëzhguesve, sulmi i së shtunës mbi një objekt izraelit në qytetin irakian të Erbilit, përgjegjësinë e të cilin e mori Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC), mund të kishte çuar gjithashtu në pezullimin e bisedimeve. /aa