Irani: Jemi të gatshëm për marrëdhënie diplomatike me Arabinë Saudite

Sipas medias shtetërore ruse “Sputnik”, kryediplomati iranian ndau informacione rreth negociatave në vazhdim me Arabinë Saudite gjatë një interviste për shtypin e Katarit.

Ai bëri me dije se bisedimet me administratën e Riadit po përparojnë në një drejtim pozitiv

“Ne jemi të gatshëm për marrëdhënie diplomatike me Arabinë Saudite. Së shpejti, përfaqësuesit e Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit Islam do të kthehen në qytetin Xhida të Arabisë Saudite. Ky është një hap pozitiv në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”, tha ministri i Jashtëm iranian.

Pasi vuri në pah se administrata e Riadit dëshiron të negociojë çështjet rajonale, Amir-Abdollahian nënvizoi se Teherani i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit rajonal.

“Ne i kushtojmë shumë rëndësi bashkëpunimit dhe negociatave me Arabinë Saudite, Turqinë dhe Egjiptin për zgjidhjen e problemeve rajonale”, sqaroi ai.

Gjithashtu shefi i diplomacisë iraniane paralajmëroi vendet e rajonit që vendosën të normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin.

“Ne i paralajmërojmë fqinjët tanë që të mos vendosin për normalizim me regjimin sionist izraelit. Ky është një gabim i madh strategjik. Të parët që do të paguajnë koston e këtij gabimi, do të jenë vetë ata (vendet që zgjedhin normalizimin)”, u shpreh ministri Amir-Abdollahian mes të tjerash. /trt