Irani ka deklaruar se përgjigjja e Washingtonit ndaj kërkesave të Teheranit “nuk ishte bindëse”, duke këmbëngulur se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet vetëm pasi SHBA-ja të përmbushë shtatë kushtet e vendosura nga Teherani, transmeton Anadolu.
“Përgjigjja e SHBA-së ndaj të drejtave dhe kërkesave të Iranit nuk ishte bindëse”, deklaroi sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, në rrjetin social amerikan X.
“Ata duhet t’u përgjigjen plotësisht dhe në mënyrë të qartë shtatë kushteve të Iranit dhe t’i përmbushin ato. Vetëm atëherë do të rihapet Ngushtica e Hormuzit”, shtoi ai.
Shtatë kushtet e raportuara të Teheranit përfshijnë një armëpushim në të gjithë Lindjen e Mesme, lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit dhe heqjen e sanksioneve ndaj sektorit të naftës së Iranit.
Kërkesat përfshijnë gjithashtu përfundimin e bllokadës detare amerikane, pagimin e dëmshpërblimeve të luftës, tërheqjen e forcave amerikane dhe përfundimin e kërcënimeve dhe ndërhyrjeve.
Deklaratat e Rezaeit vijnë në kohën kur po vazhdojnë përpjekjet ndërmjetësuese të Katarit ndërmjet Teheranit dhe Washingtonit.
Duke cituar burime pranë ekipit ndërmjetësues, gazeta Al-Araby Al-Jadeed raportoi se Washingtoni kishte miratuar një projekt-memorandum mirëkuptimi, të cilin një delegacion nga Katari dje ia kishte paraqitur Iranit.





