Irani refuzon kërkesën e Francës për negociata

Irani i ktheu përgjigje negative Francës, e cila propozoi negociata për programin e raketave balistike dhe ndikimin rajonal të Teheranit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Iranit, Behram Kasimi, publikoi një deklaratë për media në lidhje me thirrjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës Jean-Yves Le Drian për “negociata për programin e raketave balistike dhe për çështjen e ndikimit të Teheranit në rajon”.

Ai tha se programi i raketave balistike ka një rëndësi “jetike” për mbrojtjen e Iranit. “Ritheksojmë edhe një herë se programi raketor i shtetit tonë është me qëllim të mbrojtjes, është vendor dhe legjitim dhe se assesi nuk është i hapur për negociata”, tha Kasimi.

Lidhur me ndikimin e vendit të tij në rajon, Kasimi tha se “Politika e ndjekur nga Teherani është në drejtim të paqes dhe sigurisë rajonale dhe gobale e fokusuar në luftën kundër terrorizmit”.

Kasimi theksoi se ata të cilët janë të shqetësuar nga politikat rajonale të Iranit duhet të rishikojnë politikat e veta.

Ai vuri theksin në marrëveshjen bërthamore, nga e cila u tërhoq SHBA-ja në mënyrë të njëanshme. Zëdhënësi Kasimi tha se “Kërkesat e tepërta dhe të detyruara të SHBA-ve eliminojnë besimin e nevojshëm për ofrimin e mjedisit të negociatave”.

Ndërkohë, sipas agjencisë zyrtare të Iranit, IRNA, kryetari i Kuvendit të Iranit, Ali Larijani tha se vendet e Evropës pas tërheqjes së njëanshme të SHBA-ve nga marrëveshja bërthamore, i kanë bërë thirrje Iranit që t’i përmbahet kësaj marrëveshjeje, por që ata ende nuk i kanë dhënë një përgjigje të saktë kësaj pyetjeje.

Larijani thotë se dyshojnë në kapacitetin e Evropës për mbrojtjen e marrëveshjes bërthamore.