Irlanda do të ndërhyjë në rastin e Afrikës së Jugut për gjenocid kundër Izraelit

Ministri i Punëve të Jashtme i Irlandës, Micheal Martin, ka njoftuar se Irlanda do të ndërhyjë në rastin e nisur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në bazë të Konventës për Gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, transmeton Anadolu.

Shefi i diplomacisë irlandeze i udhëzoi zyrtarët të fillojnë punën për një Deklaratë të Ndërhyrjes sipas nenit 63 të Statutit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, pas një analize të çështjeve ligjore dhe politike që dalin në këtë rast.

“Siç thashë muajin e kaluar në Dail (dhoma e ulët e parlamentit), ndërhyrja si palë e tretë në një rast përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është një çështje komplekse dhe relativisht e rrallë. Që nga viti 1948, vetëm katër raste të tjera ndër-shtetërore janë inicuar sipas Konventës për Gjenocid para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, tha Martin.

“Irlanda ndërhyri në njërën prej tyre, në çështjen e Ukrainës kundër Rusisë dhe pas një procesi rigoroz dhe gjithëpërfshirës analize dhe konsultimi gjatë gjashtë javëve të fundit, ne kemi vendosur që do ta bëjmë sërish në rastin e Afrikës së Jugut kundër Izraelit”, tha ai.

Martin tha se i takon gjykatës të përcaktojë nëse po kryhet gjenocidit, por ai përsëriti qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar për këtë rast duke theksuar nevojën urgjente për veprime për të ndalur shkeljet e vazhdueshme.

Deklarata e Ndërhyrjes, në pritje të miratimit të qeverisë, do të dorëzohet sapo Afrika e Jugut të dorëzojë memorialin e saj, një proces që pritet të zgjasë me muaj.

“Situata nuk mund të ishte më e ashpër”

Më tej, shefi i diplomacisë irlandeze foli për peshën e situatës.

“Situata nuk mund të ishte më e ashpër, gjysma e popullsisë së Gazës përballet me urinë e afërt dhe 100 për qind e popullsisë përballet me pasiguri akute ushqimore”, tha Martin.

Irlanda synon të koordinojë nga afër ndërhyrjen e saj me partnerë të tjerë të cilët gjithashtu kanë shprehur synimin e tyre për të ndërhyrë.

Në një vendim historik në muajin janar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e udhëzoi Izraelin që “të marrë të gjitha masat brenda fuqisë së tij” për të parandaluar aktet që bien nën kompetencën e Nenit 2 të Konventës për Gjenocid, krime që synojnë të shkatërrojnë një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar.

Të paktën 32.200 palestinezë janë vrarë dhe mbi 74.500 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore në Rripin e Gazës që kur Izraeli nisi një ofensivë brutale kundër enklavës palestineze pasi Hamasi sulmoi Izraelin jugor më 7 tetor, sipas Tel Avivit duke vrarë afër 1.200 njerëz.

Organizatat ndërkombëtare, përfshirë agjencisë e OKB-së, kanë kërkuar një armëpushim në Gaza dhe rritjen e qasjes së ndihmës humanitare për të adresuar mungesat mjekësore, urinë, etjen dhe mangësitë higjienike që çojnë në sëmundje në Gaza.

Më 10 mars, Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) tha se “uria është kudo” në Gaza.

Sipas të dhënave të fundit nga Ministria e Shëndetësisë e Gazës, 27 persona kanë humbur jetën nga kequshqyerja dhe dehidratimi në Rripin e Gazës për shkak të bllokadës së Izraelit, e cila ka shkaktuar një “katastrofë humanitare” masive.

Sipas OKB-së, lufta izraelite gjithashtu ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.