Irlanda sot në zgjedhje parlamentare

Më shumë se 3,3 milionë votues irlandezë sot do të votojnë për të zgjedhur 160 anëtarët e asamblesë kombëtare, raporton Anadolu Agency (AA).

Votimi filloi në orën 7:00 të mëngjesit, ndërsa sondazhet e fundit kanë treguar se partia nacionaliste Sinn Fein kryeson me 25 për qind.

Rritja e votave të Sinn Fein vjen pas ngritjes së debateve mbi banimin dhe shërbimet e kujdesit shëndetësor, pasi partia premtoi investime të mëdha në këto dy fusha.

Micheal Martin, lideri i partisë Fianna Fail, tha në një fjalim të shtunën e kaluar se partia e tij është e vetmja parti e aftë për të ofruar një qeveri alternative.

Ndërkaq, partia Fine Gael e kryeministrit Leo Varadkar parashikohet të bjerë në vendin e tretë me 17 për qind.

Irlanda përballet me një krizë banimi, pasi numri i të pastrehëve ka arritur në 10.000. Shëndetësia gjithashtu ballafaqohet me sfida serioze, pasi pacientët mund të presin deri në 17 orë për t’u ekzaminuar në dhomat e urgjencës spitalore.