Ish-kreu i opozitës në Egjipt kritikon regjimin

 Ish-zëvendëspresidenti i Egjiptit dhe fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Mohammed El Baradei ka kritikuar ashpër qeverinë aktuale egjiptiane për të ndalimin e vizitave të presidentit të përmbysur dhe tani të arrestuar Mohamed Morsi, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ndalimi i vizitave një të burgosuri në burg është po aq e rëndë sa vetë paraburgimi”, tha El Baradei në Twitter.

Në vazhdim të mesazhit me titull “presidenti i burgosur”, El Baradei, tha se vizita e fundit e miratuar për të burgosurin Morsi ishte në shtator të vitit të kaluar dhe se djali i tij Usame Morsi nuk e ka vizituar që nga shtatori i vitit 2017.

“Ndalimi i vizitave në burgje është një veprim absolutisht imoral dhe i tmerrshëm. Mos vallë realiteti ynë i ri është të jemi çnjerëzor?”, ka thënë El Baradei.

Ai theksoi se në burgjet egjiptiane nuk u lejohet vizita as drejtuesve të tjerë opozitarë të burgosur, përfshirë Ahmed Duma, Alaa Abd El Fattah, Shadi al Gazali dhe Masum Marzouk.

Paralelisht me këtë, Ahmed Morsi, djali i vogël i presidentit të përmbysur egjiptian pas grushtit ushtarak në vitin 2013, sot në rrjetet sociale njoftoi se autoritetet egjiptiane për 17 muaj nuk e lejojnë të vizitojë vëllain Usama Morsi i cili gjithashtu është në burg.

Diplomati dhe ish-kreu i Organizatës Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) El Baradei më herët në Twitter paralajmëroi se disa politikanë dhe aktivistë janë viktima të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në Egjipt dhe se kjo përbën kërcënim për të ardhmen e Egjiptit.

“Inxhinjeri Yahya Hussein Andulhadi u arrestua dhe askush nuk e di se ku është. Inxhinieri Eshref Shahhat dhe mjeku Mustafa en-Nejjar gjithashtu janë zhdukur. Mjekët Abdulmunim Abul Futu, Shadi al-Ghazali Har dhe Hazim Abdul janë në qelitë e burgut. Këto janë vetëm disa nga shumë shembuj të ngjashëm. Kjo nuk mund të jetë rruga për të ardhmen e Egjiptit”, është shprehur El Baradei.

Egjipti është përfshirë nga një krize e thellë që nga grusht shteti ushtarak, gjatë së cilës në fillim të korrikut të vitit 2013 u rrëzua nga pushteti presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike Mohamed Morsi.

El Baradei menjëherë pas grushtit ushtarak u emërua si Zvendëspresident i Egjiptit, por në shenjë proteste dha dorëheqjen më 14 gusht të të njëjtit vit, pas gjakderdhjes në rrugët në qendër të Kajros që ndodhën gjatë ndërhyrjes ushtarake kundër demonstruesve.

Edhe pse fillimisht ishte në anën e komplotistëve, El Baradei u largua prej tyre, pasi ushtria përdori forcën kundër demonstruesve të cilët ishin të hapur për dialog dhe zgjidhje politike të krizës.

El Baradei pas kësaj u largua nga Egjipti dhe tani jeton jashtë vendit. Shpesh herë përmes Twitter-it komenton ngjarjet në vendin e tij të lindjes dhe botën arabe ndërsa ndiqet nga më shumë se 6 milionë njerëz.