Izetbegoviqi, njeriu i respektuar si në Lindje ashtu edhe në Perëndim

Një tjetër pjesë e rëndësishme e pyetjes se si të lexohet sot Izetbegoviqi lidhet me trajtimin e librave të tij si një përpjekje e fuqishme për të përcaktuar, edhe pse vetëm në mënyrë të pjesshme, rrugën për popujt e sotëm myslimanë të botës, të shekullit pesëmbëdhjetë të Hixhrit. Kjo do të thotë se leximi ynë i sotëm duhet të përfshijë zbërthimin e të gjitha atyre çështjeve ku shfaqet pakënaqësia e Izetbegoviqit.

Sead SHEMSOVIQ, Novi Pazar

Alija Izetbegoviqin fillimisht e njoha në mënyrë të tërthortë, përmes veprave të tij. Në kuadër të projektit të Veprave të Përmbledhura, në vitin 2004, u angazhova për hartimin e një bibliografie të teksteve dhe librave të tij në gjuhën boshnjake, si dhe të përkthimeve në gjuhë të ndryshme të botës. Hulumtimi i kësaj lënde të pasur më çoi domosdoshmërisht jo vetëm në gjurmimin e vendeve ku gjendeshin këto vepra, por edhe në thellim të përmbajtjes së tyre.

Duke qenë se kemi të bëjmë me vepra nga fusha të ndryshme, drejtësia, shkencat politike, filozofia, pedagogjia, shkencat fetare, letërsia dhe arti, puna kërkonte një përgatitje të fortë paraprake për secilën prej këtyre disiplinave. Si student i studimeve pasuniversitare të Letërsisë së Popujve të Bosnjë e Hercegovinës, një pjesë të këtyre njohurive tashmë e zotëroja, por hulumtimi i këtij korpusi kërkonte shumë më tepër. Kjo punë e dyfishtë hulumtuese kërkonte përpjekje të madhe që të mos humbje në një literaturë tepër të gjerë, por as të mos mbeteshe në sipërfaqe.

Shqetësimi i parë lidhej me zhanret e veprave të Izetbegoviqit, me natyrën e tyre të vërtetë dhe me vendin që duhej t’u caktohej brenda gamës së gjerë të varieteteve të mundshme. Ato nuk janë krejtësisht shkencore, por as edhe tërësisht joshkencore. Autori paraqitet herë objektiv e herë po aq subjektiv në nxjerrjen e përfundimeve, duke iu referuar herë pas here literaturës së caktuar. Prandaj, zhanri i këtyre veprave mund të përcaktohet vetëm si një ese e veçantë ose, më saktë, si një ese filozofiko-fetare-politike. Në të vërtetë, veprat e tij themelore – Deklarata Islame, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe Arratisja ime drejt lirisë, i përgjigjen plotësisht këtij përcaktimi të pazakontë zhanror.

Pyetja e dytë lidhej me rrethanat shoqërore dhe politike në të cilat këto vepra u krijuan dhe u lexuan, fshehtësia brenda regjimit rigid komunist (Deklarata Islame, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit) dhe shkrimi sekret, gjysmë i hapur dhe publik i fletoreve brenda mureve të burgut (mbledhja e shënimeve me titull Arratisja ime drejt lirisë). Si rrethanat e krijimit, ashtu edhe ato të leximit të këtyre veprave, na janë mirë të njohura dhe për këtë arsye na bëhet më i qartë edhe procesi i vetëformimit të personalitetit të Alija Izetbegoviqit.

Pyetja e tretë lidhej me atë se si ne sot, si njerëz që nuk kemi marrë Deklaratën Islame fshehurazi nga një person i besuar për ta lexuar sa të mundemi dhe për ta kthyer më pas, duhet ta kuptojmë atë? Si është ta lexosh sot, kur është e qasshme për të gjithë, si në gjuhën boshnjake, ashtu edhe në disa gjuhë të tjera botërore? Si ta kuptojmë dhe ta analizojmë sot, gjysmë shekulli më vonë, në rrethana krejtësisht të ndryshme shoqërore dhe politike? Si ta prezantojmë tek fëmijët tanë? Si ta shpjegojmë atë se çfarë mund t’i ketë penguar dikujt në atë tekst? Si ta shpjegojmë një kohë kur Zoti mund të ekzistonte në shtëpi, por nuk duhej të ishte i pranishëm në shkollë? Sa është ende i pranishëm ateizmi i dijes brenda nesh? Dhe, në fund, cili është sot vlerësimi praktik i librave të Izetbegoviqit?

Janë dy rrugë të mundshme për të kuptuar këtë çështje: qëndrimi i Izetbegoviqit ndaj dijes dhe vetëpërmirësimit dhe përpjekja e tij aktive për të lidhur polaritetet.

Gjatë gjithë jetës, Izetbegoviqi kërkon koncepte të ndryshme të dijes, si në shkencë ashtu edhe në besim. Studion agronominë, punon në kompani ndërtimi, diplomohet në drejtësi dhe jep provimin e jurisprudencës. I interesojnë programet hapësinore, ndjek ngjarjet politike në vend dhe në botë, ndjek zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, mëson gjuhë të huaja, lexon dogmatikën dhe filozofinë islame, studion orientalistët perëndimorë dhe analizon lojërat e shahut. Ky koncept kompleks i interesimeve të tij nuk e ka bërë të “gjithanshëm”, por një intelektual që zotëron me përpikëri secilën nga këto fusha.

Çdo temë që e trajton, e bën nga pozita e një njeriu besimtar. Mund që në fjali të mos shfaqet asnjë term fetar apo ndonjë shenjë asociative, por këndi nga i cili ai e sheh botën, nga i cili e analizon realitetin dhe gjen zgjidhje për një problem, gjithmonë është i vetmi kënd, ai i njeriut besimtar. Prandaj, ky dinjitet moral i tij do të reflektohet në çdo rast, brenda tekstit të shkruar, intervistës apo paraqitjes publike. Kjo e bën që të krijojë respekt si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Ky respekt forcohet veçanërisht në rrethanat e agresionit mbi Republikën e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe nga përpjekja e palëkundur e Izetbegoviqit për të shmangur luftën. Për më tepër, parimet e tij etike shfaqeshin edhe gjatë vizitave te luftëtarët në vijën e frontit, në bisedat me ta dhe në inkurajimin për qëndresë. Pas viteve të agresionit, kujdesi i tij për boshnjakët në të gjitha pjesët e ish-shtetit të përbashkët e karakterizonte si lider kombëtar që diskutonte dhe kërkonte zgjidhje për problemet më të ndryshme me të cilat përballej populli i tij në rrethana të reja. Ai kontaktonte personalisht me përfaqësues politikë dhe kulturorë boshnjakë nga këto vende dhe shprehej pozitivisht për kontributin e tyre në idetë e përbashkëta.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e pyetjes se si të lexohet sot Izetbegoviqi lidhet me trajtimin e librave të tij si një përpjekje e fuqishme për të përcaktuar, edhe pse vetëm në mënyrë të pjesshme, rrugën për popujt e sotëm myslimanë të botës, të shekullit pesëmbëdhjetë të Hixhrit. Kjo do të thotë që leximi ynë i sotëm duhet të përfshijë zbërthimin e të gjitha atyre çështjeve ku shfaqet pakënaqësia e Izetbegoviqit. Evidentimi i arsyeve të humbjes së orientimit të popujve myslimanë gjatë shekujve të fundit kërkon nga ne që të përcaktohemi për një rrugëdalje, e cila, në fund të fundit, na detyron ta zbatojmë këtë zgjidhje, me qëllim të prodhimit të një manifestimi më të mirë dhe më cilësor të vetvetes sonë. Kjo bëhet veçanërisht e dukshme në polarizimin e dijes.

Para disa shekujsh ndodhi një lloj ndarjeje mes dijes fetare dhe shkencore dhe, me këtë, edhe ne vetë u ndamë në shkencëtarë dhe teologë, ku asnjëri grup e as tjetri nuk zotëronim dijen e grupit tjetër. Në të njëjtën mënyrë u nda edhe qasja ndaj dijes fetare, në formalistë dhe filozofë, gjegjësisht në racionalistë dhe teozofë ose në poetë dhe analistë të thatë, pa shembull të dikujt që i zotëron me sukses të dyja fushat edhe në teori edhe në praktikë. Nëse librave të Izetbegoviqit u qasemi veç e veç nga filozofia, politologjia apo religjioni, do të shohim qëndrimet e tij, por nuk do të gjejmë zgjidhje për problemet e shoqërisë sonë.

Kjo qasje analitike do ta ndriçonte në një masë të madhe vetëm veprën dhe, natyrisht, autorin e saj, por vlera praktike përsëri do të mungonte. Këtu vërehet veçanërisht komuniteti intelektual boshnjak, sidomos ata që kanë prirje për t’u përfshirë në kolektivin fetar, etnik ose kombëtar dhe që zotërojnë një pjesë të këtij vetëdijesimi.

Ata që nuk zotërojnë asgjë nga kjo, këshillat dhe udhëzimet e tilla thjesht nuk kanë efekt mbi ta, sepse dijet e ateistizuara kanë prodhuar pothuajse gjithmonë një farë imuniteti ndaj ideve kolektive dhe një hiperindividualizëm të veçantë. Në këtë sferë, çdo intelektual është një botë e veçantë, që nuk sinkronizohet me botët e tjera, por thjesht përplaset me to. Për boshnjakët, çdo individ që ka të paktën njëfarë vetëdijesimi për vlerat kolektive dhe për përgjegjësinë e tij ndaj gjendjes kolektive është i rëndësishëm. Çdokush duhet të jetë një hallkë brenda sistemit të përbashkët të vlerave.

Për pyetjen se si të lexohet sot Izetbegoviqi, përgjigjemi se duhet ta lexojmë duke rikthyer çdo “bashkim të shkatërruar” në mjedisin e tij natyror, sepse vetëm dija e bashkuar, teorike dhe praktike, emocionale dhe analitike, shkencore dhe fetare, mund të japë fryt të shëndetshëm dhe të përshtatshëm. Me fjalët e mjekësisë, Izetbegoviqi ka bërë anamnezën dhe diagnozën, ndërsa puna jonë është të përcaktojmë terapinë, por edhe ta zbatojmë dhe ta mbikëqyrim atë plotësisht, me qëllim shërimin e shoqërisë sonë.

Ky proces shërimi lidhet veçanërisht me institucionet tona. Të gjitha ato ku më shumë e ku më pak janë të prekur nga “virusi” i egoizmit individual, konceptet e vjetruara për marrëdhëniet me publikun, veçanërisht me mediat, dhe shpesh janë të infektuara nga mungesa e krijimtarisë dhe inovacionit, duke qenë në kundërshtim me kohën moderne, hiperburokratizimin dhe frikën nga çdo gjë e re dhe krijuese. Ndoshta pikërisht ky takim i yni sonte dhe poema simfonike e Mejremiçit, rreth së cilës u mblodhëm për të përkujtuar njëqindvjetorin e lindjes së presidentit të ndjerë, janë si një erë e lehtë që paralajmëron se gjërat do të ndryshojnë, qofshim ne të gatshëm për këtë apo jo.

* Fjalim i mbajtur në Teatrin Kombëtar në Sarajevë, 17.10.2025

(Përktheu: Idaete SINANI)