Izraeli arreston 29 palestinezë në Bregun Perëndimor

12 persona u arrestuan në bastisjet në qytetin e Abu Dis, në lindje të Kudsit, nëntë në Tulkarm, katër në Nablus dhe tre në Jenin

Forcat izraelite kanë arrestuar 29 palestinezë, duke përfshirë dy studente, në bastisjet gjatë natës në Bregun Perëndimor të pushtuar, bëjnë të ditur mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia shtetërore e lajmeve Wafa tha se 12 persona u arrestuan në bastisjet në qytetin e Abu Dis, në lindje të Kudsit, nëntë në Tulkarm, katër në Nablus dhe tre në Jenin.

Dy studente ishin mes të arrestuarve në Nablus, theksoi Wafa.

Forcat izraelite arrestuan gjithashtu një palestinez 17-vjeçar në qytetin Tekoa në Betlehem, njoftoi agjencia e lajmeve.

Ushtria izraelite shpesh kryen fushata të gjera arrestimi në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor me pretekstin e kërkimit të palestinezëve të “kërkuar”.

Sipas OJQ-ve palestineze ka rreth 4.400 të burgosur palestinezë në burgjet izraelite. /aa