Ministri izraelit i Energjisë, Eli Cohen, tha se Izraeli dhe Egjipti janë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje afatgjatë për eksportin e gazit natyror, me vlerë rreth 35 miliardë dollarë. Sipas tij, marrëveshja pritet të nënshkruhet brenda javëve të ardhshme.
Marrëveshja do të zgjerojë ndjeshëm eksportet e gazit nga fusha detare Leviathan, duke u bazuar në një marrëveshje të vitit 2019 për furnizimin me 60 miliardë metra kub gaz.
Paketa e re rrit sasinë totale të eksportit në 130 miliardë metra kub deri në vitin 2040, duke e bërë marrëveshjen më të madhen e eksportit të gazit në historinë e Izraelit. Gazi do të transportohet përmes tubacioneve ekzistuese drejt Egjiptit, ku do të përdoret për konsum vendas ose do të lëngëzohet për t’u rishitur në tregjet ndërkombëtare.
Marrëveshja ishte vonuar për disa muaj, por sipas mediave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu ka dhënë së fundmi miratimin përfundimtar. Disa burime thonë se nënshkrimi mund të ndodhë shumë shpejt.
Ministri Cohen e quajti marrëveshjen “historike”, duke thënë se ajo do të ndihmojë në uljen e çmimeve të energjisë në Izrael dhe do të forcojë pozicionin e vendit në rajon dhe në arenën ndërkombëtare.





