Autoritetet izraelite kanë ndaluar faljen e Fitër Bajramit në Xhamia Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, duke u arsyetuar me masa sigurie në kuadër të tensioneve rajonale.
Palestinezët kanë bërë thirrje që besimtarët të mblidhen pranë Qytetit të Vjetër për të falur namazin sa më afër Al-Aksas, me rastin e përfundimit të muajit të shenjtë të Ramazani.
Sipas raportimeve, policia izraelite më herët ka përdorur shkopinj gome, granata zhurmuese dhe gaz lotsjellës ndaj palestinezëve që janë falur jashtë mureve të Qytetit të Vjetër, në shenjë proteste ndaj kufizimeve gjatë Ramazanit.
Ndërkohë, atmosfera në Jerusalemin Lindor është përshkruar si e zymtë. Qyteti i Vjetër, që zakonisht mbushet me besimtarë dhe vizitorë në prag të Bajramit, këtë herë ka qenë pothuajse i boshatisur.
Autoritetet izraelite kanë kufizuar lëvizjen dhe tubimet, ndërsa shumë dyqane palestineze janë detyruar të qëndrojnë të mbyllura. Vetëm farmacitë dhe dyqanet ushqimore bazë janë lejuar të funksionojnë.
Tregtarët palestinezë, të cilët kanë preferuar të mbeten anonimë nga frika e ndëshkimeve, thonë se kufizimet kanë shkaktuar vështirësi të mëdha ekonomike për ta. /mesazhi



