Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka goditur objekte në Iran që prodhojnë raketa dhe mina detare, transmeton Anadolu.
Siç raporton gazeta “Yedioth Ahronoth”, një zëdhënës i ushtrisë izraelite pretendoi se forcat ajrore izraelite goditën objektin më të rëndësishëm të Iranit për prodhimin e raketave dhe minave detare, i vendosur në qytetin qendror iranian Yazd.
Sipas tij, objekti përdorej për planifikimin, zhvillimin, montimin dhe ruajtjen e raketave të avancuara të projektuara për t’u lëshuar nga anije luftarake, nëndetëse dhe helikopterë drejt objektivave detare në lëvizje dhe statike.
I gjithë rajoni ka qenë në gjendje gatishmërie që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën ofensivë të përbashkët kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar deri tani mbi 1.340 viktima, përfshirë edhe ish-liderin suprem Ali Khamenei.
Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe në aviacion.




