Izraeli ka shembur një ndërtesë me 13 apartamente të palestinezëve në lagjen Silwan të Kudsit Lindor të pushtuar, me pretendimin se ishte “pa leje”, transmeton Anadolu.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA raporton se forcat izraelite mbyllën zonën Wad Qaddum të Silwanit që nga mëngjesi i hershëm. Ushtarët izraelitë, të shoqëruar nga makineri të rënda, bastisën zonën, rrethuan ndërtesën në pronësi të palestinezëve dhe më pas e shembën atë.
Ndërtesa, e cila përbëhej nga 13 apartamente, u shemb me arsyetimin se ishte “pa leje”, duke lënë afërsisht 100 palestinezë pa strehë. Izraeli ka përshpejtuar politikat e tij për prishjen e shtëpive dhe dëbimit me forcë në Silwan, një lagje palestineze ngjitur me Qytetin e Vjetër të Kudsit Perëndimor të pushtuar.
Në lagjen Bostan të Silwanit, ku Izraeli planifikon të ndërtojë një kopsht të quajtur “Kopshti i Mbretit”, dhjetëra shtëpi janë shembur ndërsa pritet të shemben edhe shumë të tjera.
Në lagjen Batn el-Hawa tre familje u evakuuan më parë nga shtëpitë e tyre.


