Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli sulmon Gazën, vriten 2 palestinezë

Izraeli sulmon Gazën, vriten 2 palestinezë

Dy palestinezë janë martirizuar si pasojë e një zjarri artilerik të hapur nga Izraeli ndaj Rripit të Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Palestineze në Gaza, Eshref el-Kudra, në deklaratën me shkrim tha se Husejin Semir el-Ammur (25) dhe Abdulhalim Abdulkerim el- Naka (28) kanë rënë dëshmorë pasi ishin plagosur rëndë nga sulmi artilerik i ushtarëve izraelitë.

Ndërsa gazeta “Haaretz” me qendër në Izrael, në lajmin të cilin e bazon në deklaratën e ushtrisë izraelite, pretendoi se sulmi artilerik është kryer ndaj një vendi të Hamasit në qytetin Han Junus.

Avionët luftarak izraelitë mbrëmë kishin kryer sulm ajror ndaj krahut ushtarak të Hamasit, brigadës Izzedin el-Kassam, ndërsa në sulm nuk kishte të vdekur ose të plagosur.

Që nga 30 marsi, palestinezët kanë organizuar tubime masive përgjatë gardhit të sigurisë për të kërkuar “të drejtën e kthimit” në shtëpitë e tyre në Palestinën historike nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugë për shtetin e ri të Izraelit. Si pasojë e hapjes së zjarrit të ushtarëve izraelitë kanë rënë dëshmorë më shumë se 110 palestinezë, ndërsa janë plagosur mijëra.