Izraeli zotohet për mos zbatimin e urdhrave të gjykatës së OKB-së për të ndalur luftën në Gaza

Izraeli ka deklaruar se nuk do të respektojë asnjë urdhër të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Asnjë fuqi në tokë nuk do ta ndalojë Izraelin të mbrojë qytetarët e tij dhe të ndjekë Hamasin në Gaza”, tha zëdhënësi i qeverisë izraelite, Ayi Hyman, në një deklaratë të transmetuar nga transmetuesi publik izraelit KAN.

Gjykata e OKB-së me bazë në Hagë pritet të vendosë në lidhje me kërkesën e Afrikës së Jugut për të ndalur ofensivën tokësore izraelite në Rafah në pjesën jugore të enklavës.

Një burim diplomatik izraelit për gazetën Israel Hayom tha se ekspertët ligjor izraelitë vlerësojnë se ka një probabilitet të lartë që gjykata e OKB-së të lëshojë urdhra për të ndalur luftën në Gaza.

Më 6 maj, Izraeli nisi një ofensivë tokësore në Rafah, ku më shumë se 1.5 milionë palestinezë janë strehuar nga lufta e Tel Avivit në enklavë palestineze. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) vlerëson se më shumë se 800 mijë njerëz janë larguar nga qyteti që nga fillimi i sulmit izraelit ndaj qytetit.

Izraeli ka vazhduar ofensivën brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.

Të paktën 35.800 palestinezë janë vrarë, shumica dërrmuese e të cilëve kanë qenë gra dhe fëmijë, si dhe mbi 80.200 të tjerë janë plagosur që nga tetori i vitit të kaluar.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për “gjenocid” në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të marrin masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.