BE-ja fton Listën Serbe t’u kthehet institucioneve

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka takuar të enjten shefin e Listës Srpska, Sllavko Simiq.

Ajo i ka thënë Simiqit se është shumë e rëndësishme që Lista Serbe të jetë pjesë e punës në Kuvendin e Kosovës dhe në Qeverinë e Kosovës, duke qenë pjesë aktive në kalimin e ligjeve dhe rregulloreve të rëndësishme për Kosovën dhe serbët e Kosovës.

Sipas një komunikate nga BE, ajo ka theksuar rëndësinë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, duke përfshirë nevojën për të zbatuar marrëveshjet e arritura në këtë dialog.

Në takim ata biseduan edhe për ndihmën multi-milionëshe për Veriun e Kosovës si dhe për Fondin e Zhvillimit, duke përmendur edhe nevojën për më shumë angazhim për zbatimin e projekteve të financuara nga këto instrumente ndihmëse.