Jeta e kaluar kot

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Ishte njëherë një trapar i cili barte njerëzit me barkën e tij përtej lumit. Njëherë në barkë hypi një profesor, njeri kryelartë dhe mburravec. Duke lundruar në lumin e gjerë, njeriu i ditur e pyet traparin: “A të ka ndodhur ndonjëherë, po të pyes në imperfekt, që koha e keqe të është vërsulur derisa ke qenë duke lundruar me barkë?”

Trapari e shikoi me sy duke u përpjekur të kuptojë se a është normal ky njeri. Atëherë miqësisht i tha: “Nuk i kuptoj këto pyetje të vështira.”

“Ha-ha, a nuk e ke mësuar gjuhën në shkollë?” – i tha mësuesi me mburrje.

“Jo.” – tha trapari.

“Atëherë gjysmën e jetës e ke harxhuar kot zotëri, ngase shkenca është ajo që e ngrit njeriun në jetë.” – i tha mësuesi me gisht të ngritur.

Trapari heshti.

Nuk kaloi gjatë dhe u paraqit një frymë e fortë, qielli u errësua, uji u turbullua, dhe barka filloi të humb orientimin, pa marrë parasysh përpjekjet e traparit. Filluan bubullimat dhe shiu rrëke.

Trapari u drejtua kah profesori: “A di të notosh?”

“Jo, nuk di.” – tha i çuditur profesori.

“E njeri “hyjnor”, zotëri profesor, ti e paske harxhuar tërë jetën kot, ngase ne po zhytemi.” – i tha trapari.

Mesazhi i tregimit: Në kohën e sotit ne më së shumti kujdesemi që fëmijve tanë t’u fusim në kokë shumë shënime të pakuptimta, t’i mësojmë dhjetëra profesione të padobishme. Por, askush nuk kujdeset si ta mësojë fëmiun për jetën. Atëherë, vinë gjërat e pakëndshme në jetë dhe shkatërrimi i sistemeve, njerëzit drogohen, dehen, rrihen, divorcohen, ndërrojnë punët, dhe qindra gjëra tjera për të zgjidhur problemet. Në fund edhe më tepër ngatërrohen dhe të palumtur e presin vdekjen duke menduar se nuk kan pasur fat në jetë.

Mundesh të jesh i mençur dhe të dish shumë, por edhe me qenë i çmendur, sepse dituria dhe mendja nuk e bëjnë të mençurin. Me qenë i mençur, nuk duhet të dish shumë dhe të jesh inteligjent. Mençuri d.m.th. të dish si të jetosh jetën. Për këtë, mençuria mund të fshihet tek bariu në livadh, tek nëna pranë oxhakut, tek pastruesja në fakultetin filozofik. Njëjtë, poashtu çmenduria mund të mbretërojë në mesin e profesorëve dhe doktorëve, qoftë edhe të njëjtit dinë përmendësh tërë teologjinë dhe filozofinë dhe flasin dhjetëra gjuhë të huaja.

Andaj, mëso gjuhën e jetës!

Përktheu dhe përshtati:

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)