Ji i kënaqur me atë që ke, mos u fokuso vetëm te mospasja!

Modestia është një thesar i pashtershëm.

Nevojat e njeriut janë pothuajse të pafund. Kufijtë midis nevojës dhe luksit shpeshherë janë të paqarta. Një njeri i pastrehë ëndërron të ketë një strehë mbi kokë. Sapo ta fitojë një strehë, një banesë a një shtëpi, ai e ndjen nevojën që shtëpinë ta ketë të rregulluar dhe të pajisur me mobilie të mira. Sapo ta ketë pajisur me orendi të mira, ai e ndjen nevojën për një mjet udhëtimi të mirë, pastaj një vilë të mirë, pastaj një firmë të veten, pastaj… Siç shihet, me kalimin e kohës, ajo që dje ishte luks, sot bëhet e natyrshme, pas një kohe bëhet e nevojshme, saqë pa të nuk mund të jetohet. Duke qenë se secili njeri ka ëndrra, ide, nevoja dhe shprehi të ndryshme sa i takon mënyrës së jetesës, kjo i bie se është shumë e vështirë të krijohet një listë e nevojave të të gjithë njerëzve, edhe pse shkencëtarë të ndryshëm kanë tentuar të përcaktojnë nevojat elementare të njeriut, të cilat më pas shihen edhe si bazë për të drejtat elementare të njeriut. Mirëpo, nevojat tjera nuk kanë fund. Me fjalë të tjera, nevojat e njerëzve ndryshojnë vazhdimisht varësisht nga personi, koha, kultura dhe zhvillimi teknologjik.

Plotësimi i nevojave kufizohet me mundësitë që i ka njeriu. Ndonjëherë mundësia lind nevojat. Pra, sapo të fitohet mundësia për diçka, njeriu fillon ta ndjejë si nevojë plotësimin e saj. Prandaj, në vend që të dëshpërohemi duke imagjinuar nevojat që s’mund t’i arrijmë e t’i plotësojmë, do t’i bëjmë mirë vetvetes në qoftë se i vlerësojmë mirë mundësitë që i kemi në dorë dhe i plotësojmë ato që realisht kemi mundësi t’i plotësojmë. Është shumë me rëndësi që anëtarët e familjes, sidomos bashkëshortët, të mësohen të jetojnë me mundësitë që i kanë, të mësohen të mjaftohen me ato që realisht mund t’i realizojnë.

Për këtë arsye, duhet të jemi mirënjohës ndaj Zotit për të mirat që i kemi dhe që i gëzojmë dhe të mos zhytemi në dëshpërime për shkak të mospasjes së asaj që nuk e kemi ose që për momentin nuk mund ta kemi. Të parët tanë gjithnjë na kanë sugjeruar që kur janë në pyetje të ardhurat dhe harxhimet materiale, t’i shikojmë ata që janë nën ne, më të dobët se ne, ndërkaq kur janë në pyetje dituria, devotshmëria dhe punët tjera të mira, t’i shikojmë ata që janë mbi ne, më të avancuar se ne. Me këtë duam të themi që anëtarët e familjes duhet të vendosin prioritetet e tyre së bashku. Me një pajtueshmëri të sinqertë ata duhet të bien në ujdi se cilat nevoja duhen plotësuar fillimisht e cilat më vonë dhe cilat duhet lënë krejt. Sepse jo gjithçka që ndjehet si nevojë është nevojë. Kjo assesi nuk duhet të kuptohet si prirje për dembellëk. Përkundrazi, njeriu duhet të mundohet që vazhdimisht t’i plotësojë të gjitha nevojat reale dhe t’i arrijë synimet që ia ka vënë vetvetes. Mirëpo, me këtë rast, ai duhet të dijë se plotësimi i nevojave dhe arritja e qëllimeve nuk mund të bëhet në rrugë të pamoralshme dhe jo të ndershme. Për gjithçka duhet të angazhohemi sinqerisht, ndershmërisht dhe njerëzisht duke ia lënë disa kohës e disa të tjera duke i shtyrë për në botën tjetër, në xhennetin si vend i plotësimit të të gjitha dëshirave që i ka pasur njeriu në këtë botë.

Kur jemi këtu, është mirë që edhe një herë të bëjmë dallimin midis nevojave dhe luksit. Nevojë do të thotë “ajo që është e domosdoshme për të plotësuar kërkesat e jetës së përditshme ose shoqërore, diçka e domosdoshme, pa të cilën nuk mund të bëhet; diçka që duhet për jetën e një organizmi”. Ndërsa luks do të thotë “shkëlqim i jashtëm i mjedisit, ku jetojnë të pasurit; mënyrë jetese e klasave dhe e shtresave të pasura në një mjedis të tillë me shpenzime tepër të mëdha e me gjëra të çmueshme, me veshje e me stoli shumë të shtrenjta”. Është njerëzore të lakmosh pas luksit, por nuk është islame të fokusohesh vetëm në të dhe të dëshpërohesh për mosarritjen e tij. Duhet mësuar ta kontrollojmë lakminë pas luksit. Duhet mësuar që luks të mos e quajmë vetëm shkëlqimin material, por në radhë të parë atë shpirtëror dhe moral. Për këtë thoshte Muhammedi a.s. “Nuk është zengjinllëk të kesh shumë mall, por zengjinllëk i vërtetë është të kesh zemër të pasur” (Buhariu). Lakminë pas luksit shpeshherë të rrejshëm dhe imagjinar sot na e ushqejnë reklamat dhe moda. Për të shitur produktet e tyre, bizneset e mëdha e të vogla, sot garojnë se cila do të prodhojë reklamën më tërheqëse dhe më joshëse. Këto reklama dhe moda, që i sheh gjithandej nëpër rrugë, shitore, media, internet etj., krijojnë për shumëkënd nevoja fiktive, të paqena dhe në radhë të parë “nevoja të panevojshme”.

Andaj, sa e sa familje dhe jetë bashkëshortore po shemben pikërisht për shkak të paaftësisë së anëtarëve të saj për të krijuar një baraspeshë midis nevojave dhe dëshirave, midis të domosdoshmes dhe të panevojshmes, midis të mundshmes dhe të pamundshmes, midis normales dhe luksit. Nuk thotë populli kot se “gruaja njihet kur nuk ka, ndërsa burri kur ka me bollëk”. /el-himeh.net