Aty ku s’ka Hamas: dhunë e koordinuar dhe sistematike e kolonëve ndaj popullsisë palestineze
Situata në Bregun Perëndimor të pushtuar nga izraelitët, ka arritur në nivele kritike pas një vale sulmesh sistematike dhe të dhunshme të ndërmarra nga milicitë e kolonëve izraelitë. Ngjarjet e fundit, të përqendruara kryesisht në zonën e Masafer Yatta në jug të Hebronit, përshkruhen si një fushatë e mirëfilltë terrori që synon dëbimin e banorëve vendas përmes dhunës fizike, shkatërrimit të pasurisë dhe vrasjeve.
Një nga ngjarjet më tronditëse u regjistrua nga kamerat e sigurisë në fshatin Khirbet al-Fakhit. Një burrë palestinez, i cili po ecte i qetë në pronën e tij, u sulmua brutalisht nga një grup prej pesë kolonësh të armatosur me shkopinj dhe shufra hekuri.
Dëshmitë tregojnë se si viktima u godit vazhdimisht në kokë dhe në fytyrë, madje edhe pasi kishte rënë në tokë pa ndjenja. Gjatë kësaj kohe, anëtarët e tjerë të grupit të kolonëve mbanin nën kërcënimin e armëve familjarët e viktimës, duke i penguar ata të ndërhynin. Pasi familja u mbyll brenda shtëpisë, agresorët tentuan të thyen dyert dhe hodhën spraj djegës përmes dritareve të thyera, duke shkaktuar panik te gratë dhe fëmijët.
Nata mes të martës dhe të mërkurës, u shndërrua në një skenë të hapur pogromesh të koordinuara në tre fshatra: Khirbet al-Fakhit, Khirbet Tibnah dhe Khirbet al-Halawa. Kolonët jo vetëm që sulmuan fizikisht banorët, por ndërmorën një aksion të gjerë plaçkitjeje, duke vjedhur dhe vrarë bagëtitë e fermerëve vendas, të cilët mbijetesën e tyre e bazojnë pikërisht te blegtoria.
Sipas dëshmitarëve, kur ambulancat dhe ekipet e mbrojtjes civile tentuan të mbërrinin në vendngjarje për të ndihmuar të plagosurit, ato u bllokuan dhe u goditën me gurë nga vetë kolonët. Ndërsa milicitë civile terrorizonin fshatrat, ushtria izraelite kreu operacione paralele që rënduan edhe më shumë bilancin e viktimave.
Në al-Dhahiriya, ushtarët qëlluan për vdekje 20-vjeçarin Mohammed Rajih Nasrallah dhe shkatërruan me mjete të rënda mbi 100 rrënjë ullinj, si dhe një strukturë tregtare. Ngjarje të ngjashme u raportuan edhe në Tulkarem, ku ushtarët qëlluan mbi dy të rinj (motër e vëlla) teksa dilnin nga shtëpia e tyre.
Ndërsa vajza u trajtua nga ekipet mjekësore, i vëllai i plagosur u mor forcërisht nga ushtarët, të cilët penguan ndihmën e parë. Ky përshkallëzim i dhunës vjen në një kontekst politik ku kolonitë, ndonëse të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, po zgjerohen me ritme të shpejta nën mbrojtjen e qeverisë aktuale të Tel Avivit.
Banorët palestinezë të këtyre zonave, kryesisht blegtorë dhe bujq, po gjenden gjithnjë e më shumë të rrethuar dhe të pambrojtur përballë një axhende që synon asgjësimin e prezencës së tyre në këto troje.
Sulmi i fundit në Turmus Ayya, ku u shkulën qindra pemë ulliri, dhe vrasja e një palestinezi tjetër në veri të Jeruzalemit, dëshmojnë se gjeografia e këtij terrori po shtrihet në të gjithë territorin e pushtuar. /tesheshi.com





