Kanada, seancë gjyqësore për Bissonnette që vrau 6 muslimanë

Ka filluar gjykimi i Alexandre Bissonnette i cili vitin e kaluar bastisi xhaminë në qytetin Quebec City të Kanadasë dhe vrau 6 persona të cilët ishin duke falur namaz, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjyqtari i gjykatës në Quebec City, François Huot lexoi akuzat ndaj 28 vjeçarit Bissonnette.

Bissonnette i cili akuzohet për 12 vepra penale, 6 prej tyre vrasje të shkallës së parë, pretendoi se “është i pafajshëm”.

Huot lidhur me gjykimin i cili pritet të zgjasë rreth 2 muaj, kërkoi që të thirren më shumë se 600 pjesëtarë potencialë të jurisë.

Gjyqtari Huot ka vendosur ndalesë për publikimin e kësaj lënde, në mënyrë që të mos ndikohen pjesëtarët e jurisë të cilët do të zgjidhen. Ndalesa do të largohet pasi që palët t’i dorëzojnë jurisë të gjitha dëshmitë.

Disa nga të afërmit e atyre që humbën jetën si pasojë e sulmit, gjatë seancës nuk arritën që t’u përmbahen lotëve.

Në sallën e seancës dhe në ndërtesën e gjykatës janë marrë masat e jashtëzakonshme të sigurisë.

Kujtojmë se Bissonnette më 29 janar të vitit 2017 shtiu me armë zjarri ndaj personave që ndodheshin në Xhaminë e Qendrës Kulturore Islamike Quebec City, ku mbetën të vrarë 6 persona dhe 8 të tjerë u plagosën.

Pas këtij incidenti, Bissonnette ishte arratisur por u kap nga policia. Ai e pranoi se ka kryer sulmin përderisa ishte marrë në pyetje.