Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kancelari gjerman i bën thirrje Iranit të “ndalojë destabilizimin e rajonit”

Kancelari gjerman i bën thirrje Iranit të “ndalojë destabilizimin e rajonit”

Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Iranit të ndalojë destabilizimin e rajonit, pas një bisede telefonike sot me princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, njoftoi zëdhënësi i tij, transmeton Anadolu.

Merz dhe Mohammed bin Salman diskutuan për sulmet e fundit të Huthive, të mbështetur nga Irani, situatën në Lindjen e Mesme dhe mënyrat për t’i dhënë fund konfliktit rajonal, njoftoi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, pas bisedës telefonike.

“Kancelari i dënoi me termat më të ashpër të mundshëm sulmet e fundit terroriste të kryera nga Huthit e mbështetur nga Irani. Kancelari dhe princi i kurorës pajtohen se këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, tha Kornelius.

Ai tha se kancelari theksoi se bllokadat detare të vendosura nga Irani dhe Huthit në Ngushticën e Hormuzit dhe në Bab el-Mandeb duhet të përfundojnë pa vonesë.

“Irani duhet të angazhohet më në fund në negociata serioze dhe të ndalojë destabilizimin e rajonit. Në të njëjtën kohë, ai duhet ta hapë përgjithmonë dhe pa kufizime Ngushticën e Hormuzit dhe të ndalojë programin e tij bërthamor ushtarak”, shtoi ai.

Sipas zëdhënësit, Merz dhe Mohammed bin Salman diskutuan gjithashtu për ndikimin e konfliktit në çmimet e energjisë në Gjermani dhe mënyrat për t’i stabilizuar ato.