Katari bëri thirrje të dielën për veprime urgjente që t’i imponojnë Izraelit lehtësimin e hyrjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, i cili ndodhet nën bllokadë të ashpër.
“Gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Doha me homologun e tij turk, Hakan Fidan, Ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, deklaroi: ‘Katari refuzon përdorimin e urisë dhe ndihmës humanitare si armë kundër popullit palestinez në Gaza.'”
Ai theksoi se janë duke u bërë përpjekje së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të përfunduar luftën në Gaza dhe për të lehtësuar situatën humanitare.
“Duhet të bëhen përpjekje me aleatët për të detyruar Izraelin të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare,” u shpreh Al Thani.
Ministri kataras shprehu gjithashtu shqetësim të thellë për kolapsin e marrëveshjes së armëpushimit dhe rifillimin e sulmeve izraelite, të cilat kanë shkaktuar humbje të mëdha njerëzore dhe shkatërrim, duke përkeqësuar vuajtjet e mbi dy milionë palestinezëve.
Që nga tetori i vitit 2023, mbi 52,200 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë nga ofensiva izraelite në Gaza.
Në nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Ndërkohë, Izraeli përballet gjithashtu me një çështje për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavë.



