Katër gjigantët e Evropës në garë për talentin turk Under

Roma do të jetë në telashe gjatë afatit kalimtar të dimrit, pasi do të përballet me oferta të majme nga klubet gjigante të Evropës për transferimin e talentit të saj, Cengiz Under.

21-vjeçari turk ka kohë që ndiqet nga Bayern e Arsenal, por tashmë edhe Barcelona e Manchester City kanë shfaqur interes për shërbimet e tij, shkruan Corriere dello Sport.

Ünder ka shënuar 2 gola në Champions League këtë sezon dhe që tani vlera e tij në treg ka arritur nivele të frikshme, por paga e tij te Roma është shumë e ulët, vetëm 1 milion euro, shumë më pak se titullarë të tjerë apo rezerva te Roma.

Agjenti Fali Ramadani e di mirë çfarë xhevahiri ka në dorë dhe do të marrë maksimumin. Takimet me Monchin kanë qenë të shumta, kontrata aktuale mbaron në vitin 2022, por duhet një rritje e konsiderueshme page.

Hipoteza e firmës së rinovimit vare nga klauzola që Roma do të përfshijë në kontratë, sepse me 50 milionë euro e lart gjithçka bëhet e mundur. Roma do ishte e gatshme ta shiste për shifra të tilla, Ünder do ishte i lumtur të shkonte në Angli, Spanjë apo Gjermani. /RTK