“Kërkoj respekt” thotë Juncker pas incidentit me “pijen”

Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker kërkoi që të tregohet respekt ndaj tij, pasi gazetarët e pyetën nëse ishte i dehur gjatë një darke gala në takimin e NATO-s javën e kaluar, ku ai është parë duke ecur si një “pijanec”.

Juncker mohoi se ishte i dehur dhe tha se pengesa e tij ishte për shkak të gjendjes së këmbës së tij, më konkretisht për shkak të dhimbjeve të nervit ishiatik.

Një video virale shfaqë presidentin e Komisionit Europian i cili ecën zigzag dhe humbë balancën përpara eventit.

“Kam probleme shëndetësore që më shqetësojnë mua, dhe vetëm mua”, tha Juncker në një konferencë për shtyp, duke shtuar se ai ishte “i impresionuar” nga sa njerëz janë të interesuar për gjendjen e tij mjekësore.

“Kërkoj respekt,” tha presidenti i Komisionit Europian, duke iu referuar politikanëve të tillë si krahu i djathtë austriak, Harald Vilimsky, i cili bëri thirrje për dorëheqjen e Juncker pas incidentit. /MESAZHI/