Sa herë gjendet në vështirësi, kryeministri i drejtohet “rivalit” politik
Edi Rama e njeh mirë mekanizmin. Sa herë që pushteti përballet me pakënaqësi që nuk arrin ta kontrollojë, nxjerr nga sirtari Sali Berishën.
Në vend që të flitet për përgjegjësitë e qeverisë, debati zhvendoset te opozita, militantët e saj dhe skenarët e pretenduar për destabilizim.
Berisha bëhet kështu “gogoli” i përsosur, alibia që i duhet kryeministrit për t’iu shmangur llogaridhënies. Por këtë herë, Rama po e tepron me përpjekjen për ta bërë diversionin të besueshëm.
Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri deklaroi se personat e përfshirë në aktet e dhunshme gjatë protestave nuk janë studentë, ndërsa për pjesën tjetër pranoi se kërkesat e tyre duhet të dëgjohen.
Por ndërsa dhuna duhet dënuar pavarësisht se kush e ushtron, kjo nuk e kthen automatikisht një protestë studentore në organizim të Partisë Demokratike.
As thirrjet e Berishës për mobilizim dhe as përpjekjet e opozitës për të përfituar politikisht nga pakënaqësia nuk provojnë se ajo e ka krijuar apo kontrollon revoltën.
Goditja më e fortë ndaj versionit të Ramës erdhi nga vetë protestuesit. Kur deputetët e PD-së iu bashkuan protestës, ata u kundërshtuan dhe u detyruan të largoheshin.
Mesazhi ishte i qartë. Të rinjtë nuk kanë dalë në rrugë për t’i shërbyer as Ramës, as Berishës. Dhe ky episod e vë në vështirësi kryeministrin.
Sepse nëse protesta do të ishte thjesht një organizim i PD-së, përfaqësuesit e saj do të duhej të gjenin terren për ta drejtuar atë. Por kur deputetët refuzohen nga protestuesit, pretendimi se pas revoltës qëndron vetëm Berisha e humbet besueshmërinë.
Sigurisht, PD-ja përpiqet të përfitojë nga zhvillimet. Por një gjë është të kapitalizosh politikisht një protestë dhe tjetër ta paraqesësh atë si produkt të partisë.
Rama nuk dëshiron ta pranojë këtë dallim, sepse do të duhej të përballej me një realitet më të pakëndshëm: një brez që nuk ndihet i përfaqësuar nga politika e vjetër.
Këtu qëndron edhe ironia e marrëdhënies politike mes Ramës dhe Berishës. Për dekada, ata kanë dominuar skenën politike shqiptare, duke e kthyer rivalitetin e tyre në boshtin e debatit publik.
Rama e përdor Berishën si kërcënim, ndërsa Berisha e përdor Ramën për të justifikuar vazhdimin e qëndrimit në krye të opozitës. Për të mos harruar marrëveshjet okulte me përfitime të ndërsjellta politike dhe ekonomike.
Kur të rinjtë protestojnë për arsimin, kushtet e studimit dhe perspektivën e së ardhmes, përgjigjja nuk mund të jetë përmendja e Berishës apo etiketimi i protestuesve si militantë. Qeveria duhet të përballet me kërkesat e tyre, jo të kërkojë një fajtor tjetër.
Këtë herë, “gogoli” Berisha nuk i vjen dot në ndihmë Ramës. Kjo sepse problemi i kryeministrit nuk është vetëm se opozita kërkon të përfitojë nga protesta, por se të rinjtë nuk po pranojnë të bëhen pjesë e skenarit të asnjërit. \tesheshi.com\




