Këto janë tre qytetet më të ndotura në Kosovë 

Sipas të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) rajoni me cilësi më të ulët të ajrit në Kosovë është rajoni i kryeqytetit, qyteti i Prishtinës, Fushë-Kosova dhe Obiliqi.

Kjo agjenci thekson se trendi i cilësisë së ajrit në Kosovë është përafërsisht i njëjtë me vitet tjera, që nënkupton se cilësia e ajrit nuk është në nivel të kënaqshëm edhe gjatë këtij viti, bën të ditur AA. Gjatë këtij viti, deri më tani, për 44 ditë është tejkaluar vlera e lejuar e grimcave PM10, ndërkohë pritet që kjo vlerë të rritet deri në fund të vitit, pasi që dhjetori nga kjo agjenci konsiderohet kritik në aspektin e ndotjes së ajrit.

Sipas të dhënave të AMMK-së burimet kryesore të ndotjes janë përdorimi i lëndëve djegëse në sektorë të ndryshëm, si në energjetikë, industri, amvisëri, biznese dhe po ashtu edhe transporti rrugor.