KFOR-i amerikan dhe EULEX-i në Banjskë

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe ai i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, ka dalë në vendin e ngjarjes në veri të Mitrovicës ku ka ndodhur sulmi ndaj njësisë së Policisë së Kosovës, me ç’rast ka vdekur një zyrtar policor dhe një tjetër ka mbetur i plagosur.

Njësitë e KFOR-it amerikan me forca të shtuara të Policisë së Kosovës janë stacionuar në afërsi të Banjskës, fshatit ku ka ndodhur sulmi.

Ekipi i KOHËS në terren ka arritur të sigurojë pamje në afërsi të Banjskës prej 1.5 kilometra.

Policia ka njoftuar në mëngjesin e së dielës se në orët e para grupet kriminale kanë sulmuar policinë me anë të dy kamionëve pa targa, me të cilët kanë bllokuar urën që çon në këtë fshat.