Kina dërgon trupa në Rusi për manovra të përbashkëta ushtarake

Trupa kineze do të udhëtojnë në Rusi për një raund manovrash të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe vende të tjera, përfshirë Indinë, Bjellorusinë dhe Taxhikistanin.

Kjo u bë e ditur nga Ministria kineze e Mbrojtjes, që specifikoi se ”prania kineze nuk lidhet me situatën aktuale ndërkombëtare dhe rajonale”.

”Operacionet ushtarake janë pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi për thellimin e bashkëpunimit praktik dhe miqësor me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse, përmirësimin e nivelit të bashkëpunimit strategjik ndërmjet palëve dhe forcimin e kapaciteteve të reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme të sigurisë”, thuhet në deklaratën e rastit të Ministrisë kineze të Mbrojtjes. /atsh