Kina ndalon fluturimet me Boeing pas aksidentit në Etiopi

Autoritetet kineze kanë urdhëruar aviokompanitë vendase që përdorin avionin amerikan të modelit Boeing të ndalojnë përkohësisht fluturimet pas aksidentit ajror që ndodhi në Etiopi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një deklarate, Administrata e Aviacionit Civil të Kinës si arsye për ndalesën citoi dy aksidentet me modelin Boeing 737-8, atë të tetorit të vitit të kaluar në Indonezi, kur humbën jetën 189 persona dhe aksidentin e djeshëm fatal në Etiopi me 157 viktima, duke shtuar se që të dyja fatkeqësitë kanë ndodhur si rezultat i shkaqeve të ngjashme.

Siç thuhet në deklaratë, të gjitha firmat që përdorin avionin Boeing 737-8 janë udhëzuar që deri në ora 18:00 sipas kohës lokale t’i ndalojnë fluturimet komerciale për të garantuar sigurinë e fluturimeve civile në Kinë dhe për të siguruar menaxhimin e fortë të rreziqeve të sigurisë, duke pasur “zero tolerancë ndaj problemeve të papara të sigurisë”.

Autoriteti kinez i aviacionit tha se do të kontaktojë Administratën Federale të Aviacionit të SHBA-së dhe firmën Boeing dhe do të njoftohet se fluturimet do të rifillojnë pas garantimit të masave të nevojshme për sigurinë e fluturimeve.

Sipas të dhënave të administratës së aviacionit, në Kinë gjenden 96 avionë të tipit Boeing 737 që operohen nga firmat vendase të fluturimeve.

Kujtojmë se dje 157 persona, përfshirë edhe stafin, humbën jetën pasi një avion i tipit Boeing 737-8 Max i Ethiopian Airlines u rrëzua gjatë fluturimit nga Addis Ababa për në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.

Sipas Ministrisë së Jashtmë të Kinës, në mesin e viktimave gjendeshin edhe 8 shtetas kinezë.