Kina ndërton hotele mbi xhamitë e rrënuara

Xhami e rrënuar në Xinjiang

Planet për ndërtimin e hotelit Hilton në vendin e xhamisë së rrënuar Ujgure me urdhër të Partisë Komuniste të Kinës janë pritur me zemërim dhe dënim nga grupe të ndryshme muslimane.

 

Siç u raportua fillimisht, vendi i xhamisë Duling në Hotan të rajonit Xinjiang, iu shit një kompanisë ndërtuese që mendon ta përdorë për qëllime afariste të ndryshme përfshirë edhe ndërtimin e hotelit Hilton.
Reklama ne vendin e ndërtimit të hotelit të ri u kërkon kalimtarëve të “festojnë me ngrohtësi 100 vjetorin e Partisë Komuniste” sipas raportimeve të mediave.
Një përmbledhje e faqes së internetit të hoteleve Hilton tregon se tashmë ekzistojnë disa hotele Hilton në rajonin Xinjiang përfshirë një në Aeroportin Ndërkombëtar në Urumqi, e po ashtu një në qendër të Urumqit.
Planet për ndërtimin e hotelit mbi xhaminë e rrënuar kanë nxitur reagime nga grupe të ndryshme përfshirë Këshillin për Marrëdhënie Amerikano-Islame (CAIR).
Nëse Korporata Hilton vazhdon me ndërtimin e hotelit, ata do të ndihmojnë qeverinë kineze në fushatën e saj të spastrimit kulturor kundër Ujgurëve. Të ndihmosh këtë spastrim do të thotë të ndihmosh gjenocidin e tyre, thanë nga CAIR në një deklaratë.
Hotelet Hilton nuk iu përgjigjën këtyre komenteve nga CAIR.
Meqenëse xhamitë janë një pjese e dukshme e trashëgimisë kulturore dhe fetare të rajonit, ato janë shënjestruar posaçërisht nga autoritetet e Partisë Komuniste. Diku tjetër në Rajonin Xinjiang në Ghulja, një xhami është kthyer në një hotel turistik nga një biznesmen Han Kinez, sipas një raporti nga Radio Azia e Lirë në Prill.
Departamenti i Shtetit i SHBA-ve e konsideroi trajtimin e Kinës ndaj Ujgurëve dhe pakicave tjera si gjenocid në fillim të këtij viti. Kjo erdhi pasi raporteve të përsëritura se Kina ka burgosur mbi një milion njerëz në qendra riedukimi siç i quajnë ata.
Po ashtu janë raportuar krime tjera si sterilizimi me forcë dhe aborti ndaj grave, martesat e detyruara me kinezët Han krejt këto si politika shtetërore kundër tyre.
Një raport nga BBC këtë vit vuri në dukje se përdhunimet dhe torturat janë sistematike në kampet ku janë të vendosur Ujgurët.
Përveç deklaratës së Departamentit të Shtetit, parlamentet e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Republikës Ceke, Holandës, Belgjikës dhe Lituanisë kanë bërë reagime të ngjashme ndaj Kinës. Kina me vendosmëri mohon akuzat e tilla dhe vazhdon të theksoj se qendrat ekzistojnë vetëm për qëllime riedukimi. /mesazhi.com