Kinë – Qeveria rihap kufijtë pas dhënies fund të politikës zero-Covid

Kina do të hapë sërish kufijte e saj të dielën, njoftuan sot autoritetet, pasi Pekini i dha fund politikës zero-Covid.

Do të duhen muaj, përpara se udhëtimet të kthehen në normalitet pas gati tre viteve të mbylljes së kufijve.

Së pari, numri i ulët i fluturimeve ndërkombëtare nga Kina do të kufizojë numrin e udhëtarëve.

Nga frika se variantet e reja të virusit mund të dalin nga shpërthimi aktual i rasteve me Covid-19 në vendin më të populluar në botë, vendet e BE-së përfshirë Gjermaninë, Francën, Italinë, Belgjikën dhe Suedinë kërkojnë që udhëtarët të paraqesin një test negativ të Covid-19 përpara nisjes, i cili duhet të jetë kryer brenda 48 orëve.

Pavarësisht rihapjes, nuk pritet një valë e madhe udhëtimesh nga Kina pasi numri i fluturimeve në dalje aktualisht, është vetëm rreth 10% e vëllimit para pandemisë dhe biletat janë shumë të shtrenjta.

Autoritetet duan të rifillojnë lëshimin dhe rinovimin e pasaportave, por kryesisht për udhëtime biznesi dhe studimore. Po kështu, ambasadat e Kinës do t’i japin përparësi vizave të lëshuara për udhëtime biznesi, pune dhe studimi, si dhe vizita familjare. /atsh