Zemërimi për korrupsionin dhe arrogancën qeveritare, mijëra të rinj në rrugët e Tiranës
Nga Reuters
Jeta e Marjana Koçekut ndryshoi vitin e kaluar, kur kryeministri Edi Rama e përzgjodhi personalisht për të kandiduar për deputete në Parlamentin e Shqipërisë. Ajo ishte njëra prej shumë të rinjve që Rama synonte t’i paraqiste si fytyrën e re të Partisë Socialiste.
Por këtë javë, 25-vjeçarja, tashmë deputete e pavarur, iu bashkua protestave masive të studentëve që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.
Korrupsioni, mungesa e vendeve të punës dhe ndjesia e përhapur se qeveria nuk punon për qytetarët kanë ushqyer një zemërim të thellë, i cili shpërtheu këtë javë në rrugët e kryeqytetit.
Protestues të rinj u përplasën me policinë, u vunë zjarrin ndërtesave qeveritare dhe bankave, si dhe hodhën gurë të shkëputur nga trotuaret drejt efektivëve.
Qeveria dhe policia e kanë dënuar dhunën. Sipas të dhënave të policisë, 500 protestues janë ndaluar, ndërsa 330 prej tyre janë liruar. Të njëjtat të dhëna flasin për rreth 120 efektivë policie dhe 45 protestues të plagosur.
Megjithatë, numri i protestuesve të lënduar ka të ngjarë të jetë më i lartë, pasi shumë raste nuk janë regjistruar zyrtarisht. Trazirat në Shqipëri janë pjesë e një vale protestash të të rinjve në Evropë.
Edhe në Francë, nxënësit e shkollave të mesme kanë protestuar prej javësh dhe kanë bllokuar shkolla, duke kërkuar më shumë mësues dhe kushte më të mira arsimore.
Protestat e të rinjve, sfida më e madhe për Ramën
“Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, por politikat e gabuara të ndjekura nga kjo elitë politike janë krejtësisht në kundërshtim me atë që komunitetet dhe qytetarët shqiptarë kanë kërkuar e synuar prej kaq shumë kohësh”, tha Koçeku të premten, gjatë protestave, ndërsa në afërsi policia përdorte gaz lotsjellës dhe topa uji kundër demonstruesve.
Rama, ish-basketbollist, është në pushtet që prej vitit 2013, pra prej një periudhe sa gjysma e jetës së Koçekut. Ai fitoi një mandat të katërt në zgjedhjet e vitit të kaluar, por qeveria e tij është përballur që atëherë me një sërë skandalesh korrupsioni.
Rama mohon çdo shkelje dhe këtë javë i tha Reuters se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.
“Qeveritë ndryshohen përmes zgjedhjeve demokratike, dhe ne i zhvilluam ato vitin e kaluar, jo përmes dhunës”, deklaroi ai.
Megjithatë, protestat përbëjnë deri më tani sfidën më të madhe ndaj pushtetit të tij. Ato vijnë pas muajsh demonstratash kryesisht paqësore, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin e paprekur të jugut të Shqipërisë.
Mes mbështetësve të projektit është Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Nisma është përballur me sfida ligjore. Në korrik, banorë të zonës i thanë Reuters se toka e tyre ishte shitur në mënyrë të padrejtë për t’i hapur rrugë projektit.
Më vonë, Reuters raportoi se personi që kishte shitur tokën kërkohej nga prokuroria nën dyshimet për trafik droge. Avokati i tij i mohoi akuzat. Reuters nuk gjeti prova për shkelje nga ana e Kushnerit, i cili nuk është i përfshirë drejtpërdrejt në mosmarrëveshjen për tokën mes banorëve dhe palëve të tjera. Ai nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Ky nuk ishte i vetmi rast që shkaktoi polemika për qeverinë e Ramës. Vitin e kaluar, prokurorët pretenduan se zëvendëskryeministrja ishte përfshirë në shpërndarjen e kontratave të ndërtimit për kompani të favorizuara.
Si Rama, ashtu edhe zëvendëskryeministrja i kanë mohuar akuzat. “Unë nuk isha dakord, sidomos me politikat që po ndiqnin kundër natyrës, kundër tokës sonë dhe Shqipërisë sonë”, tha Koçeku.
Këtë javë, disa protestues thanë se kishin zgjedhur të përdornin dhunën sepse ndiheshin të padëgjuar dhe besonin se zëri i tyre ishte shpërfillur vazhdimisht.
Projekti i mbështetur nga Kushner e kishte shqetësuar veçanërisht Koçekun, e cila ka lidhje të forta me tokën dhe natyrën. Ajo vjen nga malësitë e thella të veriut të Shqipërisë, ku familja e saj administron një bujtinë të vogël e modeste buzë një liqeni.
“Vendi ynë është populli shqiptar!”, tha ajo, ndërsa ajri përreth ishte i mbushur me erën e rëndë të gazit lotsjellës. “Është populli ai që krijon të ardhmen, ai që përcakton të tashmen dhe që mund ta çojë vendin tonë përpara. Jo një person i vetëm, jo një qeveri e vetme”. /tesheshi.com/



