Kompanitë abuzojnë me punimet në Autostradën e Gjilanit

Punët në ndërtimin e autostradës A7, që njihet ndryshe edhe si Autostrada e Gjilanit kanë kaluar të gjitha afate e parapara me kontratë.

Më pak se 30 për qind e punëve janë kryer deri më tani në projektin i cili ka filluar në vitin 2018.

Tetë kontrata janë nënshkruar për këtë projekt që shtrihet nga kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë)-Dheu i bardhë-pjesa: Kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) –udhëkryqi Bresallc L=22.31km.

Lajmi.net ka siguruar informacione që në dy segmente të ndryshme ku vëllimi i punëve është më i madh se në pjesën tjera nuk është duke u punuar sipas kushteve të kontratës. Konkretisht, në këtë dy pjesë nuk është duke aplikuar materiali i kontraktuar nga ministria. Bëhet fjalë për pozicionin, i cili është pjesë e të gjitha kontratave: “Punimi i stabilizuese me çimento  me trashesi t=20cm në gjendje të ngjeshur me këto karakteristika :   SC,β=28ditë, 3-6 μP, agregati  guri i thyer gelqeror , fraksion 0-31.5mm”.

Burimet e lajmi.net brenda ministrisë së Infrastrukturës kanë bërë të ditur se dy kompanitë që kanë filluar punët në këtë porcion tek mbistruktura (konstruksioni i trasësë së rrugës) nuk janë duke vendosur fare çimento, por vetëm zhavor.

“Dy kompani kanë dërguar në punishte makinerinë që e përzien këtë pozicion, , dhe asnjëra nga to nuk është duke vendosur çimento, ashtu siç është vendosur në të gjitha autostradat. Ato po vendosin vetëm zhavorr. Nuk besoj që për këtë nuk është në dijeni menaxheri i kontratës. Kjo mund te vërtetohet fare lehte, mjafton të shkohet në punishte dhe te merren mostrat”, bëri të ditur ky burim.

Lajmi.net ka mësuar se të gjitha kompanitë pasi kishin nënshkruar kontratat, kishin bërë kërkesë që të hiqet ky pozicion, por këtë kërkesë kishte hezituar që të përfillë ministria, ngase projekti ishte tenderuar me atë pozicion.

Lajmi.net ka dërguar pyetje në Ministrinë e Infrastrukturës lidhur më këtë çështje, por kjo ministri nuk është përgjigjur.

Ditë më parë lajmi.net ka raportuar se, deri më tani në shumicën prej pjesëve (kontratave) janë kryer pak më shumë se 20 për qind e punëve totale, ndërsa vetëm në dy kontrata janë kryer pak më shumë se 30 për qind e punëve, pra në kontratat ku është duke u aplikuar aktualisht porcioni: “Punimi i stabilizuese me çimento  me trashësi t=20cm në gjendje të ngjeshur me këto karakteristika :   SC,β=28ditë, 3-6 μP, agregati  guri i thyer gelqeror , fraksion 0-31.5mm”.

Burimet e lajmi.net brenda ministrisë kanë thënë se ky institucion ka kryer pagesa në kundërshtim me ligjin për këto projekte.

“Punët janë kryer pak më shumë se 20 për qind, ndërsa pagesat janë bërë për 60 për qind të punëve. Kjo është shkelje shumë e rendë me të cilën duhet të merret prokuroria, ani pse gjykata është duke u marrë vetëm me disa shkelje gjatë realizmit të kontratës”, ka thënë ky burim për lajmi.net, duke mos precizuar kohën se kur janë bërë pagesat për punët e pa kryera nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.

Lajmi.net pati kërkuar një përgjigje nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, lidhur me atë se sa është përqindja e punëve të kryera dhe sa është shuma e pagesave të bëra.

Kjo ministri ka refuzuar të përgjigjet në këtë pyetje ani pse redaksia ka insistuar disa herë që të marrë përgjigje.

Tashmë, lidhur më tenderimin e këtij projekti janë duke u gjykuar disa zyrtarë të ministrisë.