Konfiskohen 30 kilogram heroinë në pikëkalimin e Kullës

Oficerët doganorë së bashku me Policinë e Kosovës kanë arritur të kapin rreth 30 kilogramë lëndë narkotike të llojit heroinë tek një shtetas i Malit të Zi. Droga është zbuluar gjatë kontrollimit të automjeteve që vinin nga Mali i Zi për në Kosovë.

“Rreth orëve të mesditës së sotme (e premte) në pikëkalim ka arritur një automjet me targa të Malit të Zi, i cili drejtohej nga një shtetas i po këtij vendi. Gjatë pyetjeve fillestare oficerët doganorë kanë vërejtur se personi ka frikë dhe e kanë ndalur për kontroll të mëtejmë.

Oficerët kanë filluar kontrollin me pajisjet e specializuara amerikane ku në pjesët anësore të automjetit ka pasur indikacione se ka diçka të fshehur, në ato momente personi i dyshuar ka tentuar që të futet në veturë dhe të largohet, por falë intervenimit të oficerëve doganorë dhe policorë, personi është ndaluar dhe arrestuar”, thuhet në njoftimin e doganës së Kosovës, transmeton RTKlive.

Vetura, sipas të të njëjtit njoftim, është futur për kontrolle detale, ku gjatë kontrollit në pjesën e pasme të automjetit-mbrapa dyerve të vozitësit nga ana e majtë gjenden 7 qese të zeza dhe nga ana e djathtë mbrapa dyerve të bashkudhëtarit po ashtu 7 qese të zeza të ngarkuara me substancën e dyshuar narkotike e llojit heroinë.

“Rasti dhe sasia prej rreth 30 kg substancë narkotike i është dorëzuar policisë derisa personi është arrestuar”, thuhet në njoftim.

Dogana e Kosovës, sipas tyre, është e përkushtuar në mbrojtjen dhe luftimin e dukurive negative, gjithashtu dogana falënderon qeverinë amerikane për përkrahjen e vazhdueshme si me pajisje po ashtu edhe me trajnime.